Shikoni videon e parë të superveturës së re të Toyotas

Para premierës botërore që do të mbahet javën e ardhshme, modeli i ri sportiv i lartë i Toyotës ka marrë më në fund emrin e tij. Ai do të quhet GR GT.
Vetëm disa orë më parë, Toyota publikoi një reklamë në Japoni ku modeli i ardhshëm shfaqet pranë paraardhësve të tij, LFA dhe 2000GT. Zëri i fuqishëm i motorit V10 lidhet me radhën klasike të gjashtë cilindra, para se risia të luajë muzikën e motorit V8.
Video ofron gjithashtu një pamje të mirë të GR GT pa kamuflazh. Toyota ka ulur ndriçimin për të fshehur detaje më të vogla, por linja e automjetit dhe shpatullat e pasme të gjera mbeten të dukshme. Dritat e përparme dhe të pasme gjithashtu kujtojnë ato të modelit GR010 Le Mans për sezonin 2026. Edhe pse video tregon qartë versionin rrugor, është në përgatitje edhe modeli garues me specifikime GT3. Toyota ka konfirmuar së fundmi zhvillimin e një motori të ri V8, që ndoshta mund të përdoret edhe nga dega luksoze e kompanisë. Është shumë e mundur që versioni i prodhimit i Lexus Sport Concept të përdorë pikërisht këtë motor me tetë cilindra, dhe pritet që V8 të hyjë gradualisht edhe në modelet standarde.
- YouTube www.youtube.com
Motorri i ri me djegie të brendshme thuhet se do të ketë dy turbopunues dhe kapacitet prej 4.0 litrash. Megjithatë, Toyota ende nuk ka publikuar të dhëna teknike konkrete dhe nuk ka konfirmuar nëse motori do të jetë në version hibrid. Nga ana tjetër, mundësitë që të ofrohet kutia manuale janë minimale.
Kjo Toyota nuk do të jetë e lirë. Priten çmime me gjashtë shifra, por përsëri më të ulëta se të Lexusu LFA. Realisht, çdo gjë nën 150 mijë euro nuk do të ishte befasi, shkruajnë disa media. Toyota nuk dëshiron, si me LFA, që çmimi të hyjë në territorin ku dominojnë Lamborghini dhe marka të tjera eksotike.
Sërish, premiera zyrtare është caktuar për të premten e ardhshme, më 5 dhjetor. Prezantimi online do të ndiqet së shpejti nga debutimi publik në Tokyo Auto Salon 2026, që mbahet nga 9 deri më 11 janar. /Telegrafi/



















































