Site icon Telegrafi

SHFMU “Vëllezërit Frashëri” në Lipjan aktivizohet për parandalimin e sfidave brenda shkollës

Shkolla Fillore dhe e Mesme e Ulët “Vëllezërit Frashëri” në Lipjan gjatë ditëve të fundit po përballet me lëndim të nxënësve nga sfidat e lojërave që po i realizojnë brenda klasave. Një rast i tillë i lëndimit ka ndodhur edhe të premten, derisa nxënësit po e praktikojnë sfidën “Spiderman” që gjendet në platformën “Roblox”.

Drejtuesit e kësaj shkolle janë aktivizuar për parandalimin e këtyre dukurive negative, madje kanë kërkuar bashkëpunim me prindërit.

Drejtori Jakup Bahtiri, ka thënë për telegrafin se të gjatë ditëve të fundit janë përballur me dy raste të lëndimit të nxënësve nga sfidat e lojërave.

“Këtë të premte paradite ka ndodhur rasti i dytë i lëndimit tek një nxënës. Ne si shkollë prej së enjtes jemi duke organizuar mbledhje të prindërve për secilën klasë, madje ato mbledhje do të vazhdojnë edhe gjatë së premtes me qëllim të bashkëpunimit për parandalim të këtyre lojërave”, ka thënë Bahtiri.

Drejtori Bahtiri, ka shtuar se shkolla tashmë ka marrë të gjitha masat për parandalim, andaj kërkon edhe nga institucionet përkatëse të nivelit qendror të marrin veprime për t’i mbyllur platformat e tilla brenda vendit.

“E kemi parë se në disa shtete është bërë e mundur me i mbyllë platformat e dëmshme në rrjete sociale, andaj kisha kërkuar që edhe në Kosovë të punohet në këtë drejtim”, ka thënë Bahtiri.

Telegrafi ka kontaktuar edhe me psikologët të cilët kanë treguar për dëmet që shkaktohen te fëmijët nëse ata i praktikojnë sfidat dhe lojërat e tilla.

Adelina Rexhepi, psikologe, ka thënë se është për të ardhur keq se çfarë po ndodh me përdorimin e teknologjisë nga moshat të hershme.

“Fëmijët po përdorin lojëra siç janë “Roblox” dhe lodra të tjera të cilat ndikojnë negativisht në mirëqenien e tyre. Pastaj ndikon në gjendjen e tyre psikologjike, duke shkaktuar agresivitet, sjellje asociale dhe përdorimin e mjeteve jo të duhura për moshën e tyre. Kështu që unë i bëj apel te të gjithë prindërit që të kenë kujdes dhe të monitorojnë se çfarë fëmijët janë duke luajtur nëpër telefon, andaj sa më pak duhet t’i lejojmë fëmijët që të përdorin këto lojëra”, ka thënë Rexhepi.

Ajo ka bërë me dije se fëmijët janë e ardhmja e vendit, andaj duhet të angazhohen edhe institucionet, por edhe prindërit në veçanti.

“Mund të parandalohet sepse jo gjithçka është luks, andaj teknologjia është duke i shkatërruar fëmijët dhe të ardhmen tonë. Po shpresoj që së shpejti duhet të merremi me këtë çështje sepse kemi pasur raste kur fëmijët prej rrjeteve të “tiktak”dhe lojërave të tjera kanë shkaktuar lëndime, andaj edhe trajtimi i tyre pastaj është shumë i rëndë”, ka thënë Rexhepi. /Telegrafi/

Exit mobile version