LAJMI I FUNDIT:

Shfaqen filmat e FAMU-së

Shfaqen filmat e FAMU-së

Shkolla e famshme çeke e filmit "FAMU", akademitë e arteve nga rajoni e dhe Evropa e shndërruan programin e filmit në “Skena UP” në një garë të nxehtë, të shtunën, edhe pse Prishtinën e kishte mbuluar bora.

Ditën e tretë të festivalit janë shfaqur 15 filma, shtatë nga të cilët të FAMU-së, si dhe të akademive nga Bosnja, Kroacia, Rumania, Franca dhe Gjermania.

Për të mbështetur punën e studentëve të tij, në Prishtinë po qëndron edhe dekani i FAMU-së, Pavel Jech. “Sivjet FAMU nuk ka sjellë aq shumë filma artistikë, por kemi vendosur të prezantohemi me disa filma të animuar dhe dokumentarë”, tha ai.

Sipas Jechut, “Skena UP” është një festival shumë i veçantë, sepse ka shumë energji brenda. “Shkëmbimi i përvojave, si ky festival, është një gjë shumë e rëndësishme. Kjo iu ndihmon njerëzve të shohin njëri-tjetrin nga jashtë dhe, po ashtu, për të krijuar një lidhje për bashkëpunim në të ardhmen”.


Sipas Jechut, organizatorët e festivalit po bëjnë një punë të madhe, pasi kushtet nuk janë aq ideale dhe organizatorët e kanë më vështirë se në ndonjë vend tjetër. “Por, ekziston një atmosferë e mirë”.

Ndërsa regjisori i ri boshnjak, Damir Nemir Janecek, tha se ka vendosur të kthehet prapë në “Skena UP”, pas dy vjetësh, pasi kishte fituar me dokumentarin “I përjetshmi Halid Bunic”.

Ai tash prezantohet me filmin treminutësh “Once Upon A time In A Graveyard”. “Filmi im është pa fjalë. Jam përpjekur të përdor atë që kam mësuar në shkollë, me një maksimum të mundshëm të mospërdorimit të fjalëve”, thotë Janecek.

Sipas tij, “Skena UP” është një nismë e çmuar e studentëve. “Është festival shumë kualitativ dhe për mua është nder të marr pjesë në të”.

www.skenaup.com