Kushtëzimin e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës me krijimin e Asociacionit, profesori në universitetin amerikan Johns Hopkins dhe njohësi i zhvillimeve në Ballkanin Perëndimor, Daniel Serwer, e sheh si të padrejtë.
Duke kritikuar atë që e sheh diplomaci të keqe, nga SHBA dhe BE, ai mbështet qëndrimin e kryeministrit Albin Kurti dhe thotë se Asociacioni duhet të krijohet vetëm pasi Serbia të njohë pavarësinë e Kosovës.
Ai thotë se “Kosova duhet të jetë gati për një përshkallëzim të situatës me Serbinë, dhe i bën thirrje SHBA që përveç raketave t’i sigurojë vendit edhe dronë”.
Në një intervistë për A2CNN, duke folur për çështjen e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës, Serwer ka folur edhe për Asociacionin si kusht që i është vënë Kosovës nga Franca dhe Gjermania për futjen e Kosovës në agjendën e Këshillit të Ministrave, duke thënë se kjo është e padrejtë.
“Nuk është e drejtë. Mendoj se Asociacioni i komunave me shumicë serbe është diçka për të cilën është rënë dakord në vitin 2013 në këmbim të gjërave që Serbia duhej të bënte, duke përfshirë pjesëmarrjen e plotë të serbëve në institucionet qeverisëse, shtrirja e autoriteti ligjor kushtetues të Prishtinës në veri të Kosovës dhe një sërë gjërash që Serbia nuk i ka bërë. Pra, të kërkohet nga Kosova që të përmbushë detyrimet e Marrëveshjes së vitit 2013 pa marrë asgjë nga në këmbim të ‘quid pro quo-s’ që u ra dakord, është një gabim i rëndë. Është diplomaci e keqe”, ka thënë analisti amerikan.
Në pyetjen tjetër se “nuk është hera e parë që Kosovës i premtohet diçka për integrimin; kërkohet plotësimi i kushteve dhe kur Kosova e bën këtë, diçka tjetër vihet në tryezë dhe premtimi nuk mbahet. A e cenon kjo kredibilitetin e bashkësisë ndërkombëtare? Çfarë do të thotë një qëndrim i tillë?”, Serwer ka thënë se “kjo definitivisht që minon besueshmërinë tek bashkësia ndërkombëtare”.
“Kjo ofendon njerëzit në Kosovë dhe në vende të tjera të cilët po kuptojnë se bashkësia ndërkombëtare nuk i përbush angazhimet e veta, diçka që kufizon levën e saj të ndikimit. Mendoj se është koha të kuptohet se Këshilli i Evropës është një hap i nevojshëm për Kosovën që do të përmirësonte kushtet për serbët në Kosovë. Prishtina ka bërë gjithçka që i është kërkuar, përfshirë zbatimin e marrëveshjes për pronën e Manastirit të Deçanit. Mendoj se kjo ishte një lëvizje shumë e mirë nga ana e Prishtinës”, tha ai.
Ai i jep të drejtë kryeministrit Albin Kurti që nuk pranon krijimin e Asociacionit si kusht për anëtarësim në KiE, me argumentin se nuk ka asnjë lidhje mes dy gjërave.
“Ai [Kurti] ka absolutisht të drejtë se ky nuk është një kusht i duhur për anëtarësim në Këshillin e Evropës. Por unë do të shkoja edhe më tej. Unë do të thosha se Asociacioni është diçka që duhet të arrihet vetëm kur Serbia të jetë e përgatitur të njohë plotësisht sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës. E dini, evropianët tregojnë për shoqatat e shumta që tashmë ekzistojnë brenda BE-së, të cilat janë të krahasueshme me asociacionin e komunave me shumice serbe. Por, të gjitha ato shoqata ekzistojnë në vendet që e njohin njëri-tjetrin. Është shumë e qartë se çfarë po përpiqet të arrijë Beogradi me Asociacionin. Ata e thanë qartë, publikisht, se po përpiqen të mundësojnë një qeverisje të veçantë të popullatës serbe, të paktën në veri. Dhe ky është një objektiv që duhet të refuzohet nga komuniteti ndërkombëtar”, tha Serwer.
Serwer thotë se Perëndimi po përpiqet të zbusë Serbinë dhe po përpiqet të vendosë kushte strikte ndaj Kosovës.
“Kjo për shkak se Serbia ka një politikë të mbrojtjes në çështjet ndërkombëtare ndërmjet lindjes dhe perëndimit, ndërsa Kosova ndjek politikën e ‘Bandwagoning’, pra kur shtetet me të dobëta vendosin se kosto e kundërshtimit të vendeve me të fuqishme i tejkalon përfitimet. Është tërësisht e përkushtuar ndaj perëndimit, NATO-s dhe objektivit të BE-së. Dhe është thjesht një gabim serioz për ne që të mos mbështesim njerëzit që vërtet duan të jenë në Perëndim dhe të kënaqim ata që nuk duan vërtet të jenë në Perëndim. Dhe presidenti Vuçiq e ka bërë të qartë këtë. Me marrëveshjet e tij strategjike me Kinën dhe Rusinë…”, thotë ai
Serwer ka folur edhe lidhur me armatimin e Serbisë rrezikun e përshkallëzimit të situatës në Kosovës, duke thënë se “ekziston rreziku i përshkallëzimit dhe mendoj se është e rëndësishme që Kosova të përgatitet për të”.
“Një nga gjërat e mira që kanë bërë amerikanët është autorizimi i shitjes së raketave antitank Javelin në Kosovë. Do të doja të shihja që edhe disa dronë të shkojnë në Kosovë. Unë mendoj se Forcat e Sigurisë së Kosovës kanë nevojë për pajisjet, trajnimin, organizimin e nevojshëm për të penguar çdo përpjekje të Serbisë për të pushtuar territorin, veçanërisht në veri”, tha Serwer.
Analisti amerikane ka folur edhe për rolin e Rusisë, rolin e Putinit për gjithçka po ndodh në Ballkan.
“Rusia është një mundësues i destabilitetit në Ballkan, por nuk mendoj se duhet të gënjejmë veten. Vuçiq nuk është vetëm përfaqësues i Putinit në Ballkanin Perëndimor, por ka ambiciet e tij në rajon. Ai i ka bërë të qarta ato. Ka folur për botën serbe dhe bota serbe nuk është gjë tjetër veçse Serbia e madhe në një terminologji të re. Ai do të donte të arrinte këtë fillimisht de facto. Ai ka bërë një rrugë të gjatë për ta bërë këtë në Mal të Zi. Është munduar shumë ta bëjë në Republikën Srpska, dhe tani do të përpiqet ta bëjë këtë në Kosovë me komunitetin serb atje. Ai ka qenë tejet e qartë lidhur me këtë temë. Pra, po, lidhja me Rusinë e ndihmon, ja mundëson një qëllim të tillë, por ai ka ambiciet e veta, dhe ato ambicie janë shumë të qarta dhe duhet të shuhen”, ka thënë Serwer. /A2CNN/