Një banor i shtetit amerikan të Arizonës ka vdekur nga murtaja pneumonike, kanë konfirmuar autoritetet lokale shëndetësore.

Kjo është vdekja e parë nga murtaja në shtetin amerikan që nga viti 2007, tha Departamenti i Shëndetit dhe Shërbimeve Njerëzore i Qarkut Coconino, pasi një person ra në kontakt me një kafshë të ngordhur që ishte e infektuar.


Bëhet e ditur se murtaja, e njohur si "vdekja e zezë", vrau deri në gjysmën e popullsisë së Evropës në shekullin e 14-të.

Tani është shumë e rrallë tek njerëzit dhe mund të trajtohet me antibiotikë, raporton BBC.

Qendrat e SHBA-së për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC) raportojnë se mesatarisht shtatë raste të murtajës raportohen tek njerëzit në SHBA çdo vit.

Autoritetet e Qarkut Coconino thanë se rreziku për publikun është i ulët.

"Mendimet tona janë me familjen dhe miqtë e të ndjerit", tha presidentja e Këshillit të Qarkut Patrice Horstman.

"Mendimet tona janë me ta në këtë kohë të vështirë. Nga respekti për familjen, nuk do të publikojmë asnjë informacion të mëtejshëm në lidhje me vdekjen." /Telegrafi/