Site icon Telegrafi

SHBA kushtëzon Turqinë për aeroplanët luftarakë F-16: Finlanda dhe Suedia të bëhen pjesë të NATO-s

Kongresi amerikan nuk mund të mbështesë shitjen e aeroplanëve luftarakë F-16 për Turqinë derisa Ankaraja zyrtare të ratifikojë anëtarësimin e Suedisë dhe Finlandës në NATO.

Kjo u bë e ditur të enjten nga një grup senatorësh nga të dyja partitë, raporton cnn.

Suedia dhe Finlanda aplikuan për t’u bashkuar me aleancën e mbrojtjes transatlantike vitin e kaluar pasi Rusia pushtoi Ukrainën, por u përballën me kundërshtime të papritura nga shteti turk dhe që atëherë janë përpjekur të fitojnë mbështetjen e saj.

Ankaraja dëshiron që Helsinki dhe Stokholmi të mbajnë një qëndrim më të ashpër ndaj Partisë së Punëtorëve të Kurdistanit (PKK), të cilën Turqia dhe BE-ja e konsiderojnë një organizatë terroriste, transmeton Telegrafi.

Tre vendet arritën një marrëveshje në Madrid pranverën e kaluar, por Ankaraja pezulloi bisedimet në janar pas protestave në Stokholm gjatë të cilave një politikan danez i ekstremit të djathtë dogji një kopje të Kuranit.

Në një letër drejtuar presidentit të SHBA-së, Joe Biden, 29 senatorë demokratë dhe republikanë thanë se dyja vendet nordike po bëjnë përpjekje të mëdha për të përmbushur kërkesat e Turqisë, në mënyrë që të anëtarësohen në NATO, megjithëse Ankaraja thotë se Suedia duhet të bëjë më shumë.

“Pasi Turqia të ratifikojë protokollet e anëtarësimit në NATO, Kongresi mund të marrë në konsideratë shitjen e aeroplanëve luftarakë F-16. Megjithatë, dështimi për ta bërë këtë do ta vinte në rrezik këtë shitje”, shkruajnë senatorët.

Është hera e parë që Kongresi e lidh në mënyrë eksplicite dhe të drejtpërdrejtë shitjen e F-16 për Turqinë me kërkesat e dyja vendeve nordike për t’u anëtarësuar në NATO.

Turqia ka njoftuar se mund të miratojë hyrjen e Finlandës në NATO, por zyrtarët shtetërorë të Finlandës e hodhën poshtë idenë, duke argumentuar se siguria e dyja vendeve nordike është e ndërthurur. /Telegrafi/

Exit mobile version