Agjencia franceze e lajmeve citon një zëdhënës të kryeministrit Nuri al-Maliki , sipas të cilit, të burgosurit ishin vrarë nga kryengritësit, gjatë sulmit të tyre.

Presidenti Barack Obama urdhëroi dërgimin në Irak të 275 pjesëtarëve të ushtrisë amerikane, për të forcuar sigurinë e ambasadës amerikane në Bagdad. Vendimi gëzon pëlqimin e qeverisë irakiane. Ndërkohë që presidenti ka përjashtuar dërgimin e forcave tokësore në Irak, ai u takua me ekipin e tij të sigurisë kombëtare për të shqyrtuar alternativat e tjera.


Mes alternativave përfshihen edhe sulmet ajrore kundër militantëve suni, që aktualisht kontrollojnë rajone të mëdha në veri të Irakut dhe kanë kërcënuar të marrin Bagdadin nga qeveria shiite në pushtet.
Shtetet e Bashkuara po ashtu po shqyrtojnë mundësinë e bashkëpunimit me Iranin. Por Pentagoni thotë se nuk ka plane për bashkëpunim ushtarak me Iranin.

Sekretari amerikan i Shtetit John Kerry, në një intervistë për lajmet e firmës Yahoo, thotë se Irani fillimisht duhet të përgatitet të respektojë integritetin territorial dhe sovranitetin e Irakut, para se Uashingtoni të marrë një vendim.

“Në këtë moment, do të shkojmë hap pas hapi, drejt asaj që mund të kthehet në një realitet. Nuk do të përjashtoja asnjë mundësi që do të ofronte stabilitet, do të respektonte kushtetutën, procesin zgjedhor dhe aftësinë e Irakut për të formuar qeverinë e vet, që të përfaqësojë interesat e gjithë irakianëve dhe jo të një grupi sektar ndaj një tjetri. Ajo duhet të jetë gjithë-përfshirëse. Ky ka qenë një nga problemet më të mëdha gjatë viteve të fundit”.

Një zyrtar i Departamentit të Shtetit tha se diplomatë amerikanë dhe iranianë janë takuar të hënën në Vjenë.

Presidenti iranian Hassan Rouhani ka thënë se Teherani do të bashkëpunonte me Shtetet e Bashkuara për të rivendosur sigurinë në Irak brenda kornizës së ligjit ndërkombëtar.

Por disa analistë thonë se përfshirja e Iranit do të çonte në më shumë dhunë në Irak. Irani dhe Iraku kanë një histori marrëdhëniesh të tensionuara dhe konflikti në vitet ‘80-të. Teherani ka minuar misionin amerikan për ndërtimin e një Iraku demokratik të qeverisur nga myslimanët shia dhe suni, thotë David Schenker, me Institutin për Politikat e Lindjes së Afërt.

“Tani u kërkojmë iranianëve të luajnë rol konstruktiv? Irani nuk do gjë tjetër veçse një Irak ku të dominojnë shiitët. Dhe nëse ky është synimi i tyre, ata do të nxisin një luftë civile edhe më të përgjakshme në Irak.”

Mijëra njerëz kanë braktisur shtëpitë si rezultat i luftimeve në qytetet irakiane. Në një kamp refugjatësh në Kalak, Abu Qanea thotë se ai nuk do të kthehet në qytetin e tij në Mosul derisa të besojë se nuk rrezik për jetën.

“Nuk do të kthehem derisa situata të përmirësohet dhe të jemi të sigurtë. Sapo të largohen luftëtarët dhe ushtria irakiane të sigurojë qytetin, situata do të përmirësohet.”

Pakica irakiane suni është ankuar se qeveria shiite e ka mënjanuar atë dhe ka mospërfillur problemet e saj që kanë çuar në terrorizëm dhe kanë krijuar kushtet për kryengritjen aktuale nga militantët./voa/