Zymer Neziri teksa prezantoi në Akademinë e Shkencave në Shqipëri 40 vite studime për Eposin e Kreshnikëve e lahutën, propozoi që ky instrument të futet në shkolla, pa lënë mënjanë njohjen në UNESCO.
“Katër dekada më parë, në Rugovë kishim tetë lahutarë që dinin mbi 10 mijë vargje. Sot, në krejt zonat e veriut, të shpërndara në pesë shtete të Ballkanit, kemi vetëm dy. Gjendja nuk po ndryshon për mirë, por mund të konsiderohet e mirë në krahasim me të tjerët që po mbeten pa epos”, thotë Neziri.
Lahutarët janë drejt zhdukjes, madje as lahutarët si Isa Elezi nuk kanë mundur ta përçojnë këtë traditë në familje.
“I kam 21 nipa e mbesa, po s’kam mund të ndikoj”, pohon me keqardhje, ndërsa shton se teknologjia e emigrimi kanë bërë të vetën.
Në Rugovë, për 350 vite, siç ai rrëfen, lahuta ka qenë pjesë e pandashme e çdo familjeje.
“Për atë shtëpi që ndoshta nuk e ka pasur, thoshin se i zoti është qyqar”, tregon Isa. “Nga Cikli i Kreshnikëve zotëroj 35 mijë vargje, as i shkruaj, as i kam shkruar kurrë”.
Rustem Bajramit, lahutarit që ka ditur përmendësh afro 60 këngë, duket se i ka prirë fati me lahutën: nipi i tij premton ta mbajë gjallë traditën e trashëguar në katër breza.
“I bie lahutës edhe më bukur se unë”, rrëfen 89-vjeçari.
Ende sot, në moshë të thyer, ky instrument muzikor i jep zemër, siç ka ndodhur për vite me radhë me luftëtarët para betejave.
“Kur këndoj në lahutë, s’ka kush më del përballë, veç lumit Zot që më ka falë. Kosova më njeh e më ka dëgjuar të këndoj në borë e shi edhe gjatë protestave”, thotë Bajrami.
“Lahuta, Eposi, mbartin përpjekjet e jashtëzakonshme të këtij kombi për të mbijetuar”, rrëfen Vesel Nikqi, kryetari i Ansamblit Folklorik Autokton “Rugova”, që prej 70 vitesh përpiqet të mbajë gjallë trashëgiminë. “Lahuta duhet të mbetet e jona. Për historinë, vlerat që mbart”.
Sipas Nikqit, këto pasuri të trashëgimisë sonë janë lënë pas dore e institucionet e Kosovës e Shqipërisë s’po bëjnë mjaftueshëm që Eposi, lahuta e asetet e tjera të trashëgimisë, të njihen edhe në UNESCO.
“Kemi punuar që 28 asete të trashëgimisë sonë shpirtërore të njihen nga UNESCO, i kemi dorëzuar pranë Ministrisë së Kosovës, po kanë mbet aty. Ne kemi Shqipërinë që është pranuar në UNESCO, ndaj s’duhet prit më gjatë. Këngët, veshjet, ritet, instrumentet, rrezikojmë të na i marrin të tjerët. Serbët edhe brumin e kanë çuar, ndaj ne duhet të marrim masat”, thotë Nikqi.
Shqipëria s’ka më justifikime, Kosova i ka dhënë bekimin që Dosja e Eposit të Kreshnikëve të dorëzohet nga qeveria jonë, meqenëse nuk është ende anëtare e UNESCO-s. Mësojmë se dosja është ende në Tiranë, në pritje të ndryshimeve të fundit. Aktualisht, Zymer Neziri thotë ne kemi ende 300 bartës të Eposit të cilët dinë mbi 100 mijë vargje.
“Kjo është një pasuri jo vetëm shqiptare, por edhe evropiane e botërore. Si pjesë e dosjes, ne duhet të dëshmojmë se këtë traditë e kemi të gjallë. Asnjë popull nuk ka mundësi të dëshmojë aq fuqishëm sa shqiptarët, që kanë mbijetuar më gjatë se eposet e kulturave të tjera”, rrëfen Neziri. /Anila Dedaj/Panorama/