LAJMI I FUNDIT:

Sëmundja e arterieve karotide

Sëmundja e arterieve karotide

Cilat simptoma janë shenja të sëmundjes së arterieve karotide? Si caktohet diagnoza? Çfarë të bëhet kur ndodh mbyllja e plotë e enëve të gjakut? Sa janë të gatshëm njerëzit tanë që të eliminojnë faktorët e rrezikut?  

Dr. Hajriz. S. Rudari, Mr. Sci.
Kirurg vaskular
“Klinika vaskulare”
tel. 044 136 108

Lezionet funksionale dhe organike të trurit që ndodhin për shkak të ishemisë, nënkuptojnë insuficiencën cerebrovaskulare. Truri ka një furnizim të mirë me gjak duke iu falënderuar katër degëve kryesore arteriale: dy arterieve të brendshme karotide dhe dy arterieve vertebrale, të cilat komunikojnë në mes vete në nivel të unazës së Vilsonit.


Truri, edhe pse përbënë 2% të masës së përgjithshme trupore, pranon deri 20% gjak të volumit të përgjithshëm minutor të zemrës. Qarkullimi i tërësishëm i gjakut në tru është 50 ml/min/100g ind trunor. Mbyllja e arterieve karotide dhe vertebrale shkakton isheminë cerebrale (trunore) me çrregullime hemodinamike dhe çrregullime për shkak të embolizimit të trurit ose është kombinim i të dyjave.

Çrregullimet hemodinamike janë rezultat i stenozës së shkallës së rëndë (mbi 75%). Simptomatologjia varet kryesisht nga okluzioni i arterieve të përfshira, të cilat e furnizojnë trurin. Shtrirja e lezionit ishemik varet nga shkalla dhe zgjatja e stenozës, sistemit kolateral, sistemit të shtypjes së gjakut, gjendjes preishemike nutritive, etj.

Shkaktarë kryesor të ishemisë së trurit janë: arteroskleroza, embolia e arterieve të trurit, vaskuliti.

Cilat simptoma janë shenja të sëmundjes së arterieve karotide?

Simptomat dhe shenjat e insuficiencës cerebrovaskulare të rrjedhjes karotidete, të cilat ushqejnë hemisferat e trurit të madh, trurin e mesëm, ganglionet bazale, sytë, fytyrën, janë: lodhja (rraskapitje), marramendja, humbje e vetëdijes, hemipareza (shkallë e lehtë e paralizës së njërës anë të trupit), hemiplegjia (paralizë e njërës anë të trupit), amaurosis fugax (humbje e përkohshme e shikimit), afazia (humbje e pjesshme ose e plotë e të folurit), disfazia (çrregullim i të folurit).

Kurse, simptomat dhe shenjat e insuficiencës së arterieve vertebrale të cilat ushqejnë trungun trunor, trurin e vogël, palcën e zgjatur dhe lobet okcipitale, janë: turbullimi, marramendja, humbja e vetëdijes, ataksia (mungesë e bashkërenditjes së lëvizjeve muskulore në gjymtyrë), diplopia (pamje e dyfishtë), deficitet motorike ose senzorike bilaterale, disartria (çrregullime të rrugëve motore që shkaktojnë dobësi muskulore, lëvizje jo të bashkërenditura dhe çrregullime karakteristike të të folurit, ‘drop sulmet’ (rrëzime të papritura, pa humbje vetëdije).

Diagnostikimi i sëmundjes

Diagnostikimi i sëmundjes bëhet përmes ekzaminimeve angioneurologjike, joinvazive: Echo dopleri, dopleri transkranial, tomografia e kompjuterizuar (CT), rezonanca nukleare magnetike (MRI), ekzaminimi i syrit (fundoskopia) dhe, diagnostikës invazive: angiografia klasike, angiografia shumështresore, DSA (angiografia digitale subtrakcionale intravenoze), DSA intraarteriale, MRI arteriografia, PET – tomografia nën emisionin e pozitroneve si dhe metoda nukleare mjekësore SPECT-tomografia e kompjuterizuar me emision përmes fotonit.

Faktorët që i kontribuojnë zvogëlimit të qarkullimit të gjakut nëpërmes arterieve karotide

Përveç trashëgimisë, moshës, gjinisë, numërohen edhe shtypja e lartë e gjakut, fibrilacioni atrial, sëmundjet e zemrës, hiperhomocisteinemia, pirja pasive dhe aktive e duhanit, rritja e yndyrave në gjak (dislipidemia), diabeti, terapia hormonale substitutive, kontraceptivët oral, alkooli, stresi, ushqimi, mosaktiviteti fizik, adipoziteti.

Përse aq shumë vdesin nga kjo sëmundje?

Është shkaktari i tretë i vdekjes pas sëmundjeve kardiovakulare dhe malinje, ndërsa është shkaktar i parë i invaliditetit. Llogaritet që në çdo 25 sekonda, një person pëson sulm, ndërsa çdo tre minuta, dikush vdes.

Përcillet shpesh me komplikime, si, trombozë të venave të thella, emboli pulmonale, pneumoni hipostatike aspirative, plagë dekubitale, disbalans të elektolitëve, etj., që arsyetojnë vdekshmërinë e lartë.

Si të zbulohen pacientët të cilët kanë sëmundjen karotide, por që ata të mos e dinë?

Pacientët që kanë faktorë të rrezikut në shpejtimin e zhvillimit të arterosklerozës të, duhet të ekzaminohen. Stenoza asimptomatike nënkupton prezencën e lezioneve në bifurkimin (ndarjen) e karotideve, kurse i sëmuri ende nuk ka simptoma të ishemisë trunore. Kjo ndodh për shkak të sistemit të mirë kolateral dhe adaptimit të madh të trurit në rast të zhvillimit gradual të stenozës.

Këta pacientë zbulohen rastësisht në kuadër të skrining programit, ku si objekt kemi kërkimin e sëmundjes së karotideve tek popullata e rrezikuar (auskultimi, echo dopleri).

Opsionet e mjekëve pas zbulimit të sëmundjes karotide

Pas zbulimit të sëmundjes, nëse nuk ka indikacion për trajtim kirurgjik, duhet të insistojmë në ndërrim të mënyrës së jetesës, terapinë antiagreguese, terapinë me statine (barna kundër yndyrës), kontrolle adekuate të shtypjes së gjakut (veçanërisht te diabetikët).

Rezultatet e tre studimeve të mëdha kanë formuar kirurgjinë e karotive dhe kanë vënë kriteret për indikacion në kirurgjik (NASCET-amerikane, ESCT- evropiane, si dhe VA).

Kriteret për zgjedhjen e llojit të operacionit 

Kriteret janë: neurologjike, angiologjike dhe të përgjithshme. Indikacionin për intervenim kirurgjik në arterie karotide i vendos së bashku, ekipi i përbërë nga kirurgu vaskular, neurologu, kardiologu, anesteziologu.

Kriteret e operimit nënkuptojnë atë si i sëmuri e përballon operacionin, varësisht nga gjendja e përgjithshme si dhe rezervat funksionale të sistemit kardiorespirator dhe sistemeve tjera.

Çfarë duhet të bëhet kur ndodh mbyllja e plotë e enëve të gjakut

Indikacionet vaskulare dhe endovaskulare për trajtim të arterieve karotide vendosen në bazë të shkallës së stenozës së karotideve, komorbiditetit, karakteristikave anatomike vaskulare dhe lokale, morfologjisë së pllakës në karotide. Kur ekzistojnë indikacionet për vaskularizim të trurit, duhet para planifikimit të llogarisim momentin e duhur, kur intervenimi kirurgjikal ka rrezik më të paktë, bërsa dobi më të madhe.

Pra, ndërhyrja e hershme, është e panevojshme, kurse shumë vonë – është e padobishme. Rekonstruktimi i arterieve karotide nënkupton endartereksitomi të karotideve, eversion të karotideve, pach plastic të karotideve, interpzicion të graftit (by-pass).

Metoda të reja të cilat janë më të sigurta për pacientët dhe më të lehta për kirurgët

Si metoda alternative (dilatimi, stentimi dhe graft-stentimi), përdoren dhe procedurat më të reja endovaskulare, të cilat janë më pak traumatike te pacientët me rrezikshmëri të lartë, por kanë edhe limitin, varësisht nga morfologjia e lezionit dhe mosha e pacientit (nuk mundet të përdoret te okluzioni, te pllaka ulcerative jostabile, te pllaka e kalcifikuar si dhe te ekzistimi i koilingut, kinkingut dhe aneurizmës).

Zakonisht përdoret te pacientët me sëmundje të rënda koronare, tek restenoza pas endarterektomisë karotide, tek displazia fibromuskulare, arteritisi, arteritis pas radiacionit, tek lezionet ku nuk mund të qasemi kirurgjikisht, pastaj tek operacionet e mëdha (vaskularizimi koronar) para dhe pas tyre.

Përfundim: Sëmundja e arterieve karotide është shkaktari i tretë i vdekjes dhe i parë në botë i invaliditetit, kemi të bëjmë me sëmundje, e cila me vete bartë pasoja të mëdha sociale, emocionale, ekonomike për individë, familje dhe mbarë shoqërinë.

Prandaj, rekomandoj që të bëhet programi multidiciplinar parandalues në evaluimin, shërimin dhe edukimin e popullsisë së ekspozuar rrezikut, por edhe të jetë prioritet në planifikimin kombëtar të shëndetësisë. /Telegrafi/

Në trend Shëndetësi

Më shumë
Plaga e hapur në lukth: Të gjitha simptomat e të thatit dhe si t’i zbusim vështirësitë e pakëndshme!

Plaga e hapur në lukth: Të gjitha simptomat e të thatit dhe si t’i zbusim vështirësitë e pakëndshme!

Shëndetësi
Kalo në kategori