Sekuestrohen 121 kg bimë kanabisi në proces tharjeje, Policia e Shtetit në kërkim të dy të dyshuarve

Polica e Shtetit ka bërë të ditur se Shërbimet e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve në DVP Vlorë, në bashkëpunim me shërbimet e Policisë Kufitare Vlorë, si rezultat i kontrolleve të kryera në kuadër të planit operacional “Koordinata”, bazuar edhe në informacionet e siguruara, goditën një rast të kultivimit të bimëve narkotike.
Policia njofton se kultivimi i kanabisit ishte bërë në një zonë malore në territorin e Himarës, ndërsa janë asgjësuar 302 bimë kanabisi dhe janë sekuestruar 121 kg bimë kanabisi në proces tharjeje.
“Gjatë kontrollit të territorit duke përdorur edhe dronë, shërbimet e Policisë, midis fshatrave Shën Vasil dhe Lukovë, në një zonë malore të thepisur, zbuluan 3 parcela ku ishin kultivuar 302 bimë të dyshuara narkotike kanabis, të cilat u asgjësuan. Gjithashtu, në cilësinë e provës materiale u sekuestrua edhe një sasi bimësh narkotike në proces tharjeje me peshë 121 kg”, thuhet në njoftim,
Policia thekson tutje se në vijim të veprimeve hetimore për identifikimin e autorëve të këtij rasti kultivimi, u bë shpallja në kërkim për veprat penale “Kultivimi i bimëve narkotike" dhe “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” e shtetasve: R. B., 41 vjeç, banues në Lukovë dhe A. N., 30 vjeç, banues në Delvinë.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, për veprime të mëtejshme. /Telegrafi?
















































