Sot pas disa muajve të ngërçit politik u konstituua Kuvendi i Kosovës me zgjedhjen e nënkryetarit nga radhët e komunitetit serb.

Pasi nëntë nga deputetët e Listës serbe nuk morën votat e nevojshme, nënkryetar u zgjodh Nenad Rashiq.


Kjo seancë u mbajt pas vendimit të fundit të Gjykatës Kushtetuese lidhur me konstituimin e Kuvendit të Kosovë.

Gjykata Kushtetuese ka konstatuar se zgjedhja e nënkryetarit nga radhët e komunitetit serb është e domosdoshme për përmbylljen e konstituimit të Kuvendit të Kosovës.




10/10/2025 12:47- Rashiq falënderon deputetët të cilët e votuan për nënkryetar

Pas konstituimit të Kuvendit të Kosovës, nënkryetari i zgjedhur, Nenad Rashiq tha se shpreson që ky do të jetë fillim i ri për formimin e institucioneve.

Zgjedhja e tij erdhi pasi nëntë deputetë nga Lista Serbe dështuan të marrin votat e nevojshme për pozitën e nënkryetarit.

Nenad Rashiq, nga partia për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë ka folur para mediave pas zgjedhjes së tij si nënkryetar nga komuniteti serb.

“Jam shumë falënderues ndaj kolegëve të mi të cilët sot kanë votuar për mua dhe shpresoj që kjo do të jetë një fillim i ri në ndërtimin e institucioneve sa më parë që është e mundshme”, deklaroi Rashiq. /Telegrafi/

10/10/2025 12:23-Nenad Rashiq votohet si nënkryetar i Kuvendit të Kosovës

Nenad Rashiq është votuar si nënkryetar i Kuvendit të Kosovës.

Emri i tij u hodh në votim pasi nëntë deputetët e Listës Serbe nuk arritën të siguronin votat e nevojshme për ta marrë këtë pozitë.

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) dhe Lëvizja Vetëvendosje (LVV) votuan në favor të Nenad Rashiqit, ndërsa Partia Demokratike e Kosovës abstenoi në votim.

Rezultati i votimit ishte: 71 vota për, 9 kundër dhe 24 abstenime.

10/10/2025 11:55- Nëntë kandidatë nga Lista serbe nuk marrin votat e nevojshme për nënkryetar

Nëntë kandidatë nga Lista serbe nuk kanë marr votat e nevojshme për nënkryetar të Kuvendit.

Gjykata Kushtetuese ka konstatuar se zgjedhja e nënkryetarit nga radhët e komunitetit serb është e domosdoshme për përmbylljen e konstituimit të Kuvendit të Kosovës.

10/10/2025 10:55- Slavko Simiq nga Lista serbe nuk i merr votat për nënkryetar të Kuvendit

Lista serbe ka nisur propozimin e kandidatëve për nënkryetar të Kuvendit.

I pari i propozuar i tyre tri herë radhazi ishte Slavko Simiq.

Simiq nuk mori votat e mjaftueshme për nënkryetar të Kuvendit, gjersa procesi po vazhdon me emra tjerë nga Lista serbe.

10/10/2025 10:49- PDK do të abstenojë në votimin për nënkryetarin nga komuniteti serb

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Mërgim Lushtaku, ka sqaruar qëndrimin e partisë së tij lidhur me votimin për zgjedhjen e nënkryetarit të Kuvendit nga radhët e komunitetit serb.

Lushtaku tha se, megjithëse nuk ishte i pranishëm në mbledhjen e fundit të grupit parlamentar të PDK-së, qëndrimi i partisë është i qartë se deputetët e saj do të marrin pjesë në seancë, por do të abstenojnë në momentin e votimit për nënkryetarin serb.

Ai akuzoi Lëvizjen Vetëvendosje për viktimizim politik në këtë proces, duke theksuar se pushteti po mundohet të paraqitet si peng i Listës Serbe.

10/10/2025 10:45- Nis seanca konstituive

Ka nisur të mbahet seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës.

Pikë e rendit të ditës është zgjedhja e nënkryetarit të Kuvendit nga radhët e komunitetit serb.

Kryetari i Kuvendit, Dimal Basha tha se kanë numrin e mjaftueshëm të deputetëve për të nisur seanca.

10/10/2025 10:31- Zgjedhja e nënkryetarit nga komuniteti serb, Murati: Nevojiten edhe 5 vota për Rashiqin

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Hekuran Murati tha se në asnjë pikë të vendimit të Gjykatës Kushtetuese nuk thuhet, sipas tij, që nënkryetari nga pakicat serbe i takon ekskluzivisht Listës Serbe.

Para fillimit të seancës konstituive për zgjedhjen e nënkryetarit të pestë, Murati tha se nevojiten edhe pesë vota për zgjedhjen e Nenad Rashiqit nënkryetar, i cili është kryetar i Partisë për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë.

10/10/2025 10:17- Gashi: Detyrimet kushtetuese duhet të zbatohen

Lidhja Demokratike e Kosovës po mban një mbledhje para fillimit të seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës. Sot pritet që deputetët të votojnë për zgjedhjen e një nënkryetari serb, për çka deputeti i LDK-së, Arben Gashi tha se “detyrimet kushtetuese duhet të zbatohen”.

Para fillimit të seancës, ai tha para gazetarëve se bllokimi nuk është kushtetues, por politik.

“Bllokimi nuk është kushtetues, bllokimi është politik. Mungesa e konsensusit, mungesa e vullnetit për konsensus dhe mungesa e fuqisë politike për të formuar institucionet. Krejt këto tjerat janë lojëra dhe taktizime kushtetuese dhe nuk është aspak bllokadë kushtetuese”, deklaroi Gashi.

10/10/2025 10:14- Rashiq: Nëse më vjen radha do të kandidojë për nënkryetar të Kuvendit

Kryetari i Partisë Demokratike Progresive, Nenad Rashiq para nisjes së seancës konstituive theksoi se nëse i vjen radha do të kandidojë për nënkryetar të Kuvendit nga radhët e serbëve.

Rashiqi para mediave tha se nuk e di si do të shkojë procesi, por nëse Lista serbe i ‘shpenzon’ kandidatët dhe i vjen radha do të kandidojë.

“Unë nëse vjen radha ime kam thënë se jam kandidat i përgjegjshëm...”, tha ai.

Rashiq shtoi tutje se nuk ka biseduar me partitë tjera pasi sipas tij nuk ka vërejtur se kanë ndryshuar qasje, megjithatë sipas tij, vendimi i Gjykatës Kushtetuese në njëfarë mënyrë i detyron deputetët të votojnë.