Së shpejti në “Acibadem Sistina”: Terapia më e avancuar me rrezatim – VMAT

Spitali Klinik “Acibadem Sistina” së shpejti do të implementojë njërën nga teknikat më moderne të radioterapisë – terapinë me modulim vëllimor (VMAT), me ndihmën e akceleratorit të ri linear TrueBeam. Falë kësaj teknologjie të avancuar dhe ekspertizës së ekipit të Departamentit të Radioterapisë, pacientët onkologjikë do të kenë qasje në trajtim radioterapeutik sipas standardeve më të larta botërore.Prof. Dr. Deva Petrova, specialiste në onkologji dhe radioterapi, thekson se radioterapia është një segment thelbësor në trajtimin e pacientëve me sëmundje malinje. Avancimi i kësaj fushe ka një ndikim të madh në suksesin e trajtimit të pacientëve onkologjikë, prandaj është thelbësore që risitë në radioterapi të jenë të aksesueshme për pacientët tanë.

Gjatë trajtimit me VMAT, pacienti vendoset në pozicion të shtrirë, ndërsa akseleratori linear rrotullohet rreth trupit të tij dhe gjatë këtij rrotullimi transmeton dozën e planifikuar, e cila është përshtatur në mënyrë optimale me formën dhe madhësinë e vëllimit të synuar. “Përparësia kryesore e këtij trajtimi është se realizohet më shpejt krahasuar me metodat standarde, duke reduktuar kohëzgjatjen e seancës dhe duke përmirësuar komoditetin e pacientit. Koha më e shkurtër e trajtimit zvogëlon mundësinë e lëvizjes së pacientit, gjë që ndikon drejtpërdrejt në rritjen e saktësisë së aplikimit të rrezatimit. Teknologjia tredimensionale e integruar në aparatin CT mundëson vizualizimin e saktë të pozicionit të tumorit në çdo seancë, në kohë reale, duke përmirësuar më tej saktësinë dhe efikasitetin e trajtimit. Mbrojtja maksimale e indeve të shëndetshme përreth tumorit ndihmon në reduktimin e efekteve të padëshiruara nga terapia”, shpjegon Dr. Petrova.Terapia VMAT përdoret për trajtimin e llojeve të ndryshme të tumoreve malinje, veçanërisht në raste kur kërkohet saktësi e lartë dhe mbrojtje maksimale e indeve përreth. Kjo terapi aplikohet shpesh tek pacientët me karcinomë të prostatës, tumore në kokë dhe qafë, si dhe në mushkëri. Gjithashtu, radioterapia e avancuar VMAT përdoret edhe në trajtimin e karcinomës së zorrës së trashë, tumoreve cerebrale, karcinomës së gjirit, qafës së mitrës dhe ezofagut.



















































