Salihu: I mbetet Komunës dhe Prishtinës ta rregullojnë stadiumin

Droja kryesore e shtëpisë së futbollit kosovar është gjendja e stadiumit, ku FFK-ja drejton gishtin kah Komuna e Prishtinës dhe klubi i Prishtinës.
“Kosova-Omani do të luhet më 7 shtator në Prishtinë, me fillim prej orës 16:00. Sa i përket stadiumit, fusha është në gjendje të mirë por duhet të intervenohet në disa pjesë tjera të stadiumit. Tani është në duar të Komunës së Prishtinës dhe të klubit të Prishtinës. Kemi marrë premtime, por ende s’kanë filluar punimet. Thjesht nuk është më në duart tona”, deklaroi sekretari i FFK-së, Eroll Salihu, transmeton Tribuna.
I pyetur se pse FFK-ja vendosi të zhvendoset në Prishtinë nga Mitrovica, duke e ditur që gjendja e stadiumit është pothuajse e mjerueshme, Salihu u përgjigj kështu: “Kemi vendosur të zhvendosemi në Prishtinë për disa arsye. Ky takim do të ketë rol sensibilizues pasi që të gjithë duhet ta dinë se kryeqyteti duhet ta ketë një stadium evropian. Pastaj është problemi i rrugës për në Mitrovicë, e cila nuk është e mirë, e të tjera”. /Telegrafi/






















































