Kuvendari nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje,Amir Rexhepi, së bashku me disa aktivist, gjatë ditës ka realizuar një aktivitet duke e bërë matjen e gropave në rrugën “Besnik Osmani”. Sipas tij prej vitesh qytetarët por edhe kuvendarët në mbledhjet e kuvendit po e kërkojnë asfaltimin e kësaj rruge, por deri më tash pa sukses.

Në anën tjetër në Komunë kanë thënë se Lëvizja vetëvendosje duhet të organizon aktivitete të tilla edhe në rrugën regjionale Ferizaj-Prishtinë që është në menaxhim të subjektit të tyre nga niveli qendror.


“Në këtë rrugë komuna ka dështuar sepse banorët prej vitesh po kërkojnë që të asfaltohet. Ani pse është rrugë e shkurtër, komuna ka pasur mundësi ta asfalton atë sepse këto kërkesa përveç qytetarëve, disa herë i kemi ngritur edhe në kuvend si opozitë. Sa herë që ka të reshura të bores dhe shiut, rruga bëhet e pa kalueshme dhe i ngjason një liqeni artificial”, ka kritikuar Rexhepi.

Në anën tjetër, Meriton Hajdini, drejtor për Infrastrukturë në Komunën e Ferizajt, ka thënë për Telegrafin se kjo rrugë do të asfaltohet në qershor të këtij viti.

“Deri tash në këtë lagje kanë qenë duke u ndërtuar disa objekte banesore, andaj lëvizja e madhe e automjeteve transportuese e ka dëmtuar rrugën, prandaj qëllimi ynë ka qenë që pas përfundimit të atyre objekteve banesore ta asfaltojmë rrugën me qëllim që mos të ketë dëmtime të tilla. Në muajin qershor kjo rrugë sikurse edhe disa të tjera do të përfundojnë në qytet”, ka thënë Hajdini.

Sa i përket reagimeve të Rexhepit se kjo rrugë po i ngjason një liqeni artificial, Hajndini i është përgjigjur duke i thënë se, “Kuvendari Rexhepi duhet të realizon aktivitete të tilla edhe në rrugën regjionale Ferizaj-Prishtinë e cila është dëmtuar në masë të madhe dhe se është në menaxhim të subjektit të tij në nivel qendror”, ka sqaruar Hajdini.

Sipas Hajdinit, shkaku i gropave, rruga regjionale po e vështirëson qarkullimin e qindra bizneseve dhe qytetarëve për çdo ditë. /Telegrafi/