Me nisjen e sezonit turistik, dhe me rritjen e numrit të pushuesve në bregdetin e Shëngjinit, është shënuar një fluks i shtuar qytetarësh që kërkojnë ndihmë mjekësore në qendrën shëndetësore verore të zonës, e cila ka nisur funksionimin prej 1 qershorit.

Sipas të dhënave, deri në 40 persona paraqiten për ndihmë mjekësore brenda një harku kohor prej 24 orësh.


Kërkesat për ndihmë lidhen kryesisht me probleme të ndryshme shëndetësore, si dhe me rastet e pickimeve nga insektet.

Është shtuar shumë numri i të sëmurëve që vijnë me pickim nga bleta, me tension të lartë, me hipotension, me gjendje të fikëti, me kolika renale. Të gjitha këto simptoma vërehen më shpesh. Pastaj kemi pasur edhe me pickime që kanë ardhur gati në gjendje shoku. E kemi përballuar dhe ndihmën e parë ia kemi dhënë këtu në të gjitha rastet. Mund të jenë pak raste, 1–2 në natë, që t’i çojmë në Lezhë”, tha mjekja Liza Ujka.

Për të garantuar ofrimin e shërbimeve mjekësore për pushuesit, Njësia Vendore e Kujdesit Shëndetësor (NJVKSH) ka marrë masat e nevojshme për funksionimin normal të qendrave shëndetësore verore gjatë gjithë sezonit turistik, si në Shëngjin, ashtu edhe në Tale.

Në të dyja qendrat shëndetësore verore janë dislokuar autoambulancat për të qenë në shërbim të plotë 24-orësh, për t’iu përgjigjur çdo telefonate që mund të kenë vizitorët”, tha Elson Frroku, drejtor i NJVKSH Lezhë.

Autoritetet shëndetësore bëjnë thirrje për kujdes të shtuar nga pushuesit, si dhe për të kërkuar ndihmë mjekësore në kohë.