Telegrafi

Rritet numri i pelegrinëve të vdekur në Mekë, autoritetet saudite fillojnë ceremonitë e varrimit

Numri i të vdekurve në haxhin e këtij viti ka kaluar 1,000, me vapën ekstreme që po mbizotëron në Arabinë Saudite.

Bëhet e ditur se vdekjet e fundit përfshijnë 58 persona nga Egjipti, sipas një diplomati arab.

Ndërkohë, rreth 10 vende kanë raportuar 1,081 vdekje gjatë pelegrinazhit.

Qendra kombëtare meteorologjike ka raportuar një temperaturë prej 51.8 gradë Celsius në Mekë, me temperaturat që po rriten për 0.4 gradë Celsius çdo dekadë.

Siç raportohet, më shumë se gjysma e të vdekurve janë pelegrinë të paregjistruar, të cilët i bashkohen haxhit përmes lidhjeve të parregullta, pasi nuk mund t’i përballojnë lejeve zyrtare, shpesh të kushtueshme, shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi.

“Njerëzit ishin të lodhur, pasi u ndoqën nga forcat e sigurisë para ditës së Arafatit. Ata ishin të rraskapitur”, tha diplomati arab, duke theksuar se shkaku kryesor i vdekjes së pelegrinëve është nxehtësia, e cila shkaktoi komplikime lidhur me presionin e lartë të gjakut.

Ministria e Jashtme egjiptiane ka njoftuar se zyrtarët egjiptianë po vizitojnë spitalet për të marrë informacione dhe për të ndihmuar pelegrinët të marrin kujdes mjekësor.

“Megjithatë, ka një numër të madh të qytetarëve egjiptianë që nuk janë të regjistruar në bazat e të dhënave të haxhit, gjë që kërkon përpjekje të dyfishtë dhe një kohë më të gjatë për të kërkuar personat e zhdukur dhe për të gjetur të afërmit e tyre”, shtoi Ministria e Jashtme.

Për këtë arsye, presidenti i Egjiptit, Abdel Fattah El-Sisi, ka urdhëruar “koordinim të menjëhershëm me autoritetet saudite për të lehtësuar marrjen e trupave të të ndjerëve”.

Lexo po ashtu Më shumë se 550 pelegrinë - shumica egjiptianë - thuhet se kanë vdekur në Mekë pasi temperaturat shkuan në mbi 50 gradë Celsius

Viktima të tjera janë konfirmuar edhe nga Pakistani dhe Indonezia. Nga rreth 150 mijë pelegrinë, Pakistani ka regjistruar 58 vdekje.

“Unë mendoj se duke pasur parasysh numrin e njerëzve, duke pasur parasysh motin, kjo është thjesht e natyrshme,”, tha diplomati.

Edhe Indonezia, me rreth 240 mijë pelegrinë, ka regjistruar 183 vdekje.

Vdekje janë konfirmuar gjithashtu edhe nga Malajzia, India, Jordania, Irani, Senegali, Tunizia, Sudani dhe rajoni autonom i Kurdistanit në Irak. E në shumë raste, autoritetet nuk e kanë specifikuar shkakun.

Diplomati ka njoftuar se autoritetet saudite kanë filluar ceremonitë e varrimit për pelegrinët e vdekur.

“Varrimi bëhet nga autoritetet saudite. Ata kanë sistemin e tyre, kështu që ne thjesht e ndjekim atë”, tha ai.

Ndryshe, Arabia Saudite nuk ka dhënë informacion mbi vdekjet, megjithëse raportoi më shumë se 2,700 raste të “rraskapitjes nga nxehtësia”. /Telegrafi/