LAJMI I FUNDIT:

Për shkak të rrethanave politike, u anashkalua agjenda ekonomike

Për shkak të rrethanave politike, u anashkalua agjenda ekonomike

Për ekonominë e vendit dhe sfidat e vitit 2016 kanë vlerësuar edhe në Aleancën Kosovare të Bizneseve (AKB), gjatë përmbylljes së vitit me prezantimin e aktiviteteve të këtij viti dhe planet për 2017.

Kryetari i AKB-së, Agim Shahini tha se si rezultat i mos liberalizimit të vizave, kosovarët shpenzuan rreth 20 milionë euro. Sfidë tjetër dëmtim i imazhit të vendit ishin edhe bisedimet Kosovë- Serbi dhe efekte e tyre në ekonomi ishin jo në favor të Kosovës. Ato ndërtuan mure në veri, kanë rritur eksportin e Serbisë në Kosovë dhe sipas vlerësimeve tonë ky vit përmbyllet me 400 milionë euro të eksporteve të Serbisë drejt Kosovës.
“Kosova mbetet vendi që më së paku në Ballkanin Perëndimor ka eksportuar”, theksoi Shahini.

Ai shtoi se marrëveshja Kosovë – Mali i zi për demarkacion ishte mollë sherri në mes Qeverisë dhe opozitës dhe kjo ishte shumë e dëmshme për zhvillimin ekonomik, për investitorët e huaj dhe si pasoj e kësaj kemi edhe ikje të investitorëve dhe dëmtim të imazhit.


Sfidë mbetet Asociacioni i Komunave Serbe që po e dëmton imazhin e vendit dhe po e shkatërron tërë ekonominë për shkak të frikësimit të investitorëve. Integrimi dhe njohjet e Kosovës kanë stagnuar për vitin 2016 dhe ishte e zbehtë dhe si rezultat i saj ka pasur shumë pak njohje të shtetit e pak lëvizje ndërkombëtare. “MSA nuk arriti të rritë eksportin e prodhimeve vendore drejt BE-së, por mbetet që në të ardhmen të jetë një mundësi e mirë”, tha Shahini.

Kryetari i AKB-së, tregoi se sivjet mbeten të pashqyrtuara shumë ankesa të bizneseve për shkak të mos funksionimit të Bordit të Pavarur për Shqyrtimin e Ankesave dhe Parashtresave e i cili nuk u riaktivizua, duke ju mohuar e drejta bizneseve.

Akciza në lëngje jo alkoolike edhe këtë vite mbeti në fuqi dhe kjo mbetet një problem i pazgjidhur, ku prodhuesit e vendit duhet të paguajnë akcizën dhe reformat e institucioneve nuk e kanë prekur këtë kategori. Taksat në lëndë të parë dhe teknologji ende mbeten në fuqi për shumicën e tyre.

Sipas tij, TVSH-ja nuk zbriti çmimin e bukës, energjisë dhe produkteve esenciale. “Rritja ekonomike e proklamuar nga qeveria i shkurtoj rreth 40% investimet e huaja në vitin 2016/2015. Po ashtu kishin proklamuar se është rritur punësimi, e i cili ishte dukshëm më i vogël se sa ai i pritjes dhe premtimeve që ishte 33.9 për qind vitin e shkuar e tash kinse është 26.6% e të cilat nuk janë të sakta, kur dihet se sivjet investimet e huaja kanë pasur rënie”, tha Shahini.

Ai shtoi se informaliteti mbete sfidë e i cili u rrit mbi 35% nga ai 33% sa ishte në vitin 2015. Sipas Shahinit, prodhimi vendor nuk arriti të zëvendësoj importin ai u rrit edhe në vitin 2016. Deficitet tregtare mbeten të larta në raport 88 % – 12% të eksportit.

Janë disa projekte të parealizuara edhe pse ishte premtuar nga institucionet realizimi i tyre, si Brezovica, ku investimet në të dështuan plotësisht dhe nuk ka asgjë. Po ashtu ndërtimit të termocentralit nga kompani amerikane në vlerë 1 miliardë euro ende nuk ka filluar dhe shpresojmë që nuk do të ngec tërësishëm.

Sipas tij, sektori më profitabil në vend ishte sektori financiar i patundshmërisë dhe ai i ndërtimit.

Çështje tjetër është se AKP-ja dështoi në privatizimin e aseteve publike përgjatë gjithë vitit 2016 ato ishin të vogla ngaqë edhe krahas saj munguan investimet e që vitin 2017 të ketë rritje të shitjes së aseteve apo privatizimit Ligji për Investime Strategjike në Kosove ishte risi, por nuk pati efekte të dukshme dhe nuk u panë fare dhe në të ardhmen pritet të ketë investime . Ligji për Trepçën u miratua kjo ishte e mirë për Kosovën.

Agim Shahini, kryetar i AKB-së tha se edhe viti 2017 do të jetë një vit sfidues, sepse do të nisë Gjykata Speciale, do të nisë presioni për fillimin e Asociacionit për Komunat Serbe, Demarkacioni me Malin e Zi. Po ashtu viti 2017 do të jetë vit zgjedhor, ku do të mbahen zgjedhjet e reja.

“Të gjitha do jenë pengës të zhvillimit të agjendës ekonomik si dhe përmbushjen e buxheti prej 2 miliardë euro”, tha kryetari i AKB-së Agim Shahini.

Kurse, Lumnije Ajdini, menaxhere e AKB-së ka prezantuar aktivitete e AKB-së për vitin 2016 dhe planet për vitin 2017.

Ajo tregoi se gjatë këtij viti janë organizuar aktivitete promovuese, konferenca, tryeza, analiza hulumtuese, forume biznesore ndërkombëtare, me qëllim të promovimit të prodhimeve vendore në Kosovë, vendet e rajonit dhe në BE.

Po ashtu si AKB ajo tha se kanë kërkuar zyrtarisht në Këshillin Kombëtar për Zhvillim Ekonomik, zgjerimin e listës së produkteve për lirim nga taksat doganore. “Prodhuesit vendor përballen me sfida të shumta, të cilat duhet të eliminuar në vitin që po vjen”, tha Ajdini. /Telegrafi/