Luan Abrashi, qytetari i Mitrovicës që ka përjetuar masakrën e 3-4 shkurtit të vitit 2000, që njihet dhe si “Nata e Tmerrit”, ka thënë se ishte një natë e tmerrshme, e cila ishte e organizuar nga kriminelët serbë.
Sipas tij, këta të fundit ishin të organizuar mirë nga Oliver Ivanoviqi, apo siç i referohej “kryekrimineli i gjatë dhe pas luftës”.
“E potencova dy herë gjatë dhe pas luftës, pasi kohët e fundit ka pasur disa tentime për amnestimin e tij, për fat të keq nga krerët tanë shtetërorë”, ka thënë Abrashi.
Qytetari nga Mitrovica ka treguar se në atë kohë ishte 13-vjeçar dhe se kujtimet e asaj nate ende i ka të freskëta. Ai ka rrëfyer se atë natë është vrarë edhe nëna e tij.
“Atë natë më është vrarë edhe nëna. Janë vrarë 10 shqiptarë e janë plagosur 25 të tjerë. Janë dëbuar mbi 12 mijë shqiptarë. Ato kujtime i kam ende të freskëta”, është shprehur ai.
Ndërsa, për deklarimet e kryeministrit Albin Kurti në përvjetorin e Ivanoviqit, qytetari nga Mitrovica ka thënë se ishte e vështirë të përballohej.
Abrashi ka theksuar se me kalimin e viteve kanë më pak shpresa që drejtësia të vihet në vend.
“Edhe nga ana e institucioneve, edhe nga ndërkombëtarët nuk kanë ndërmarrë masa. Thuajse është harruar ky rast, një herë në vit kujtohet”, ka potencuar tutje qytetari Luan Abrashi./RTVDukagjini/