Fushë Kosova pritet të përjetojë një nga transformimet më të mëdha urbane gjatë katër viteve të ardhshme, sipas paralajmërimit të Rrahim Tërnavës.

Kandidati i PDK-së për kryetar ka prezantuar projektin madhor për ndërtimin e një sheshi modern përgjatë rrugës “Nëna Terezë”, duke filluar nga Kastrati e deri te rrethi, i cili do të përfshijë edhe një nënkalim për vetura.


Tërnava theksoi se ky projekt sfidues dhe inovativ do të sjellë përfitime të shumëfishta për qytetin dhe qytetarët, përfshirë: Krijimin e një qendre funksionale dhe moderne që bashkon qytetin, lehtësimin e qarkullimit dhe reduktimin e trafikut të ngarkuar, transformimin e Fushë Kosovës në një qytet evropian në standarde të zhvillimit urban, dhe përmirësime të ndjeshme në cilësinë e jetës së banorëve.

"Ky është vizioni ynë për një Fushë Kosovë #MaMIRË – një qytet modern, i zhvilluar dhe i gjallë për të gjithë", deklaroi Tërnava në një postim publik në rrjetet sociale. /Telegrafi/