Nicolo Zaniolo pritet të largohet nga Roma gjatë orëve të ardhme, kur kanë mbetur edhe 24 sosh deri në mbylljen e afatit kalimtar të janarit.
Sulmuesi italian nuk është më i preferuar te Roma, as nga trajneri Jose Mourinho, as nga tifozët dhe as nga drejtuesit e klubit.
Zaniolo dëshironte kalimin te Milani, por Rossonerët nuk kanë mundur të bëjnë ofertën e duhur te Roma për t’i bindur Giallorosët të heqin dorë.
Bournemouth bëri ofertën më të madhe me 30 milionë plus pesë të tjera në formë bonusesh si dhe 10 për qind nga shitja e ardhme për Romën, ofertë që u pranua nga gjiganti italian.
Skuadra angleze i ka ofruar lojtarit edhe një pagë prej pesë milionë eurove në sezon, dyfishin e asaj që fiton te Roma.
Por së fundmi në garë për yllin italian janë futur edhe RB Leipzig dhe Sevilla, edhe pse skuadra spanjolle nuk është gati t’i përmbush kërkesat e Romës.
Leipzig ka bërë një ofertë zyrtare për huazimin e Zaniolos me obligim blerje në fund të sezonit për 27 milionë euro, derisa lojtarit i ka ofruar 2,5 milionë euro në sezon plus bonuset, pagë e njëjtë që fiton te Roma.
Agjenti i sulmuesit, Vigorelli po bisedon me drejtuesit e klubit gjerman, por edhe me Bournemouth që po vazhdojnë të insistojnë.
Zaniolo pas ngjarjeve të fundit ka vendosur përfundimisht të largohet nga Roma dhe mbetet të shihet se ku do të përfundojë. /Telegrafi/