Telegrafi

Rita Ora publikon videon kur Mbreti Charles e përmendi atë dhe Nënë Terezën si shqiptarë të shquar

Artistja shqiptare me famë ndërkombëtare, Rita Ora, këto ditë ka qenë në qendër të kritikave.

Krejt kjo për shkak se ajo acaroi bashkëkombësit e saj, kur u xhirua në një video gjatë një paraqitjeje në Hungari, teksa mbante flamurin e Serbisë në duar.

Rita e bëri të qartë se nuk ka qenë e vetëdijshme për flamurin që mbante në duar dhe se gjatë gjithë kohës ka menduar se ka një flamur hungarez në duar.

Sido që të jetë, këngëtarja shqiptare duket se ka vendosur që t’iu kundërpërgjigjet kritikëve të saj, me një video të rishpërndarë së fundmi në rrjetin social Instagram.

Bëhet fjalë për një video ku Mbreti Charles III flet për emrat e shquar me origjinë shqiptare dhe ndër to përmend Nënë Terezën dhe Rita Orën.

“Ju keni kaq heronj ikonë nga ky regjion. Nënë Tereza ishte sigurisht një shqiptare për nga etnia, e lindur në Maqedoninë e Veriut e besimit roman-katolik. Në muzikën bashkëkohore, Rita Orën të cilën e kisha nderin e madh ta dëgjoj duke kënduar për herë të parë në Londër javën e kaluar”, dëgjohet duke thënë monarku i Mbretërisë së Bashkuar në video.

Rita Ora përndryshe mbetet shqiptarja e parë që depërtoi në tregun ndërkombëtar të muzikës, dhe është aktualisht e vetmja shqiptare me famë globale që i ka dedikuar këngë Kosovës dhe njëherësh e vetmja artiste e përmasave botërore që ka kënduar falas në Kosovë. /Telegrafi/

Rita Ora në koncertin e 10-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës në Prishtinë, më 17 shkurt 2008 (Foto: ARMEND NIMANI/AFP via Getty Images)