Gjermania ka regjistruar një fitore të rëndësishme ndaj Irlandës së Veriut, duke triumfuar me rezultat 3-1 pas një ndeshjeje të fortë dhe me kthesa interesante, të vlefshme për kualifikueset për Kampionatin Botëror.

Sfida nisi në mënyrën më të mirë për “Pancerat”, të cilët kaluan në avantazh që në minutën e 7-të. Serge Gnabry, pas një kombinimi me Nick Woltemade, përfitoi nga dalja e portierit dhe shënoi me një lob të zgjuar për 1-0.


Megjithatë, miqtë reaguan shpejt dhe arritën barazimin në minutën e 34-të me Isaac Price, i cili finalizoi saktë një asistim të bukur nga Devenny.

Në pjesën e dytë, Gjermania shtoi presionin dhe riktheu epërsinë në minutën e 69-të. Nadiem Amiri, i futur nga banka rezervë, u gjend në zonë pas një pasimi të shkëlqyer të David Raum dhe shënoi me qetësi për 2-1.

Vetëm tre minuta më vonë, Florian Wirtz vulosi fitoren me një goditje fantastike dënimi, duke e çuar topin në cepin e sipërm të majtë për 3-1.

Gjermania tregoi karakter dhe forcë, pas humbjes shokuese ndaj Sllovakisë. /Telegrafi/ 

telegrafi sport app