Komuna e Malishevës të shtunën ka njoftuar se është rifunksionalizuar aeroporti civil në fshatin Banjë. Në këtë ditë është realizuar dhe ulja e parë pas 25 vitesh, ku në bord ka qenë kryetari i Komunës, Ekrem Kastrati.

"Në paraditen e  15 qershorit, për ta pritur uljen e parë të aeroplanit në të cilin ndodhej, kryetari i Komunës së Malishevës Ekrem Kastrati, kishin dalë, nënkryetari i Komunës së Malishevës, Vesel Krasniqi, drejtorë, këshilltarë, asamblistë dhe shumë qytetarë", thuhet në njoftimin e Komunës, raporton Telegrafi.


Foto3

Kryetari Kastrati ka theksuar se kësisoj hapet rruga për aftësimin e pilotëve të rinj.

"25 vjetori i çlirimit të Komunës së Malishevës dhe ditës së dëshmorëve, Malishevën dhe qytetarët e sajë po i gjen me një zhvillim më të  lartë ekonomik, me mirëqenie më të mirë familjare, me arsim e shëndetësi, sport e kulturë, me infrastrukturë  të zhvilluar, por sot edhe me rifunksionalizimin e aeroportit civil në fshatin Banjë, që për ne dhe qytetarët, do të hapen mundësi të reja ekonomike si dhe të mësimit e aftësimit të kuadrove për  pilot të rinj në mbarë Kosovën, të cilën do ta mundësoj shkolla e pilotëve dhe infrastruktura e kapaciteteve njerëzore që do të operacionalizohet shpejt, me këtë rifunksionalizim të aeroportit civil në Banjë", ka thënë Kastrati.

Foto2 1

Sipas njoftimit, edhe pilotët janë shprehur me emocione të veçanta, teksa është kërkuar edhe investimi nga niveli qendror në fushën e aviacionit civil, "pasi rëndësia e saj është jetike për shtetin tonë".

Për të mbarë vajtur gjithçka sipas planit, Komuna ka bërë të ditur se kanë qenë të angazhuar edhe Policia e Kosovës, stacioni në Malishevë, njësia e zjarrfikësve dhe QKMF- ja në Malishevë.