Rënia e një legjende në ‘Maksimir’: Fabio Cannavaro shkarkohet pas vetëm 100 ditësh

Futbollisti legjendar italian, Fabio Cannavaro nuk është më trajner i Dinamo Zagrebit, ka konfirmuar zyrtarisht klubi kroat në faqen e tyre në rrjetet sociale.
Cannavaro përfundoi kështu një episod të shkurtër dhe katastrofik në stolin e klubit më të trofeshëm kroat, i cili nën drejtimin e tij me shumë gjasa do t'i japë fund dominimit të madh në futbollin kroat.
Në fund të vitit të kaluar italiani mori skuadrën pas Nenad Bjelicës me synimin për të përmirësuar rezultatet në kampionat, por nuk ia doli dhe qëndroi në këtë punë për 100 ditë.
“Fabio Cannavaro nuk është më trajner i ekipit të parë të Dinamos nga kjo e mërkurë. Ai kaloi pak më shumë se tre muaj në stolin e klubit Maksimir dhe drejtoi blutë në 14 ndeshje konkurruese dhe tre miqësore”.
“Ne dëshirojmë të falënderojmë nga zemra trajnerin Cannavaro për përpjekjen, përkushtimin dhe miqësinë e tij të jashtëzakonshme dhe i urojmë atij gjithë të mirat në rrugëtimin e tij të ardhshëm sportiv dhe jetësor”, thuhet në njoftim.
Nën drejtimin e tij, Dinamo Zagrebi luajti dhjetë ndeshje në HNL dhe arriti pesë fitore, dy barazime dhe tre humbje. Ai u dënua nga një humbje 3-0 kundër Istrias në Pula fundjavën e kaluar.
Aktualisht Dinamo është gjashtë pikë prapa liderit Hajduk Split dhe me siguri i ka humbur shanset në garën për titull.
Më parë mediat kroate shkruanin se Cannavaro kishte një pagë 1.5 milionë euro te Dinamo dhe stafi i tij stërvitor 500 mijë euro në vit. Është e qartë se italianët nuk i justifikuan ato para. /Telegrafi/




















































