LAJMI I FUNDIT:

Redon Makashi fsheh të dashurën

Redon Makashi fsheh të dashurën

"Nuk mendoj se kam bërë gabim që kam bërë klip një këngë të vjetër, pasi këngët që bëj vetë nuk më duken asnjëherë të vjetra", thotë Redoni në një intervistë për Summer Pages.

Për këngën dhe klipin, që ia mundësoi e dashura e tij, ai flet me një dashuri të veçantë. Muzika është jeta e tij. Por kur vjen fjala për jetën e tij personale, ai është hermetik më shumë se kurrë. Kantautori Redon Makashi, i cili vetëm pak ditë më parë promovoi klipin e një prej hiteve të tij, "Përse më bërë të urrej", vjen për herë të parë në këtë intervistë për "Summer Pages". Vera e tij është e mbushur me koncerte nëpër qytetet bregdetare, por edhe projektet më të largëta. Po kush është e dashura e Redonit? Përse e fsheh ai atë? Përse ajo mungoi në promovimin e klipit të tij? Shumë përse… Në fakt, ne jemi përpjekur të zhbirojmë këtë herë në jetën e tij…

Pse bëtë klip një këngë të vjetër?

Redoni: Kjo është një pyetje që e kam dëgjuar edhe nga miqtë e mi. Unë jam kantautor dhe këndoj këngët e mia. Kënga është krijim i imi dhe me të mund të bëj në çdo kohë një klip a riorkestrim. Fakti që iu bë klipi është se ajo është një këngë që ka marrë një trofe në festival dhe nuk është parë më. E dëgjojnë në radio dhe shumë njerëz nuk e njohin. Për këtë arsye mendoj se kam bërë një zgjedhje të duhur për këtë këngë, duke i bërë një klip. E në këtë kontekst, nuk mendoj se kam bërë gabim që kam bërë klip një këngë të vjetër, pasi këngët që bëj vetë nuk më duken asnjëherë të vjetra. Megjithatë, nuk mund të mos e përmend se kënga është realizuar në bashkëpunim me kitaristin e mirënjohur shqiptar, Bled Sejkon, Tim Beka, baterist, Altin Myftarai, bas, dhe Frenci Muça, që është vajza e klipit. Ndërkohë, pjesa e padukshme e tij është; drejtor fotografie, Spartak Papadhimitri dhe djali i tij, Dionis Papadhimitri. Gjithashtu, një punë të mirë ka bërë edhe Erand Meça. Pa harruar që pjesë e xhirimeve të kripit është edhe Alket Islami, i cili është edhe pikënisja e klipit, pasi ishte ai që e gjeti dhe vendin e klipit. Pa harruar foninë dhe ndriçimin nga Mentor Muça dhe Gentian Myrtolli, e sigurisht stilistja Jona Muça. Grupi realizues, të cilët i falënderoj, pasi pa ta nuk do të ishte bërë një punë kaq e mirë.


Përveç këtij klipi, keni menduar të realizoni ndonjë album?

Redoni: Unë kam zgjedhur një strategji ndryshe, jo të bëj një album, por të bëj këngë dhe t’i shoqëroj këto me klipe. Kështu, pas kësaj kënge mendoj të realizoj një këngë të re që do të shoqërohet me një klip. Pas saj të bëj një klip për këngën "Vjeshta", e cila do të ndiqet nga një këngë e re dhe me një klip. Ndërsa për albume nuk e shoh tregun e duhur të futem në të. Është një moment që edhe në botë nuk po shiten albumet dhe kanë filluar albumet kombinacion hite nga shumë këngëtarë.

Duke iu referuar kësaj, mendoni që edhe ju të jeni pjesë e një albumi të tillë?

Redoni: Mua në fakt më pëlqen të bëj një koncert me miqtë në këtë mënyrë. Madje, një miku im ma dha këtë ide, që të realizoj një koncert të tillë, por nuk është kaq e lehtë… Megjithatë, mua më vjen mirë që muzika ime vazhdon të pëlqehet ende, edhe pse ka një kaos në treg e kjo ka ndodhur në një kohë që unë nuk kam qene në treg me klipe.

Në lidhje me koncertet, a keni marrë ftesa për këtë sezon?

Redoni: Po, koncerte do të jenë jo pak gjatë verës. Kështu që do të jetë një turne gjatë verës në gjithë vendet bregdetare. Nis qysh këtë javë në Velipojë, Pogradec, Sarandë, Vlorë etj. Do të jenë koncerte nëpër disko verore e pub-e të organizuara në ambiente të jashtme. Po ashtu, do të jetë një koncert në Mal të Zi. Më parë koncertet kanë qenë më shumë jashtë Shqipërisë, Zvicër, Amerikë, etj, por tani në verë njerëzit që janë jashtë vijnë në Shqipëri dhe kështu që do të jem më shumë në Shqipëri këtë sezon veror.

Ndërkohë, bashkë me Sandër Gjokën ju keni krijuar një grup të ri muzikor që do të interpretojë vetëm muzikë "live"…

Redoni: Po, është e vërtetë. Grupi që do të interpretojë vetëm muzikë "live" është krijuar, por është një moment që është periudhë vere, kështu që e kemi menduar ta rinisim këtë projekt në shtator, pasi unë dhe Sandri kemi ftesa private.

Le të kalojmë tek jeta juaj personale. Jeni i dashuruar?

Redoni: Jeta personale është në vend numëro. Jam marrë shumë me punë e veten time e kam lënë pas dore. Kam lënë pas edhe njerëzit që më rrinë pranë. Prandaj, të më falin, pasi predispozicioni im këto kohë ka qenë minimal për ta.

Gjithmonë ju keni pasur të dashura bionde. Çfarë keni me brunet? Përse i keni mërzitur ato?

Redoni: Më kanë marrë inat vetë brunet. Bëj shaka, se unë njeriun nuk e dua nga flokët. Kjo puna e biondeve më ka ngelur si damkë. Por unë them se njeriu shihet nga intelekti dhe të jetë një njeri ku mund të mbështetesh, e jo nga flokët. Në këtë moshë që jam unë njeriu nuk shihet nga aparenca, por ku mund të gjejë dikë që të mbështetet.

Dhe ti e ke dikë ku mbështetesh?

Redoni: No comment.

Thonë që për klipin të ka mbështetur e dashura juaj. Pse nuk ishte prezente gjatë promovimit?

Redoni: Po, është e vërtetë, aty kam qenë vetëm. Nëse ajo do të ishte aty, media do të merrej me këtë gjë dhe jo me motivin e vërtetë përse ishim në atë festë. Unë isha aty për të promovuar kripin, dhe jo për të bërë publike jetën time personale.

Gjithashtu, thuhet se promovimin e klipit e organizoi po e dashura juaj?

Redoni: Jo, nuk është e vërtetë. Promovimi i klipit është bërë nga lokali ‘Bulevard Caffe’, të cilin e falënderoj.

Pse nuk martoheni, sepse jeni ndër të vetmit beqar në muzikë?

Redoni: Unë jam martuar me artin, kur të vij momenti i duhur do të bëj të ditur këtë.

Martesa, sa larg a afër është ajo?

Redoni: Martesa është dhe larg dhe afër. Martesa më tepër është për femrat problematikë, që ta ndiejnë veten më të qeta. Martesa për mua është një letër e shkruar. Për mua e rëndësishme është që marrëdhënia me partneren të shkojë mirë.

Nuk ju mungon të qenit prind?

Redoni: Në fakt, kam filluar disi ta ndiej këtë mungesë, pasi shoh gjithë shokët, miqtë e mi që janë prindër, kanë fëmijë dhe kjo është një gjë që mua ka filluar të më pëlqejë.

Në çfarë moshe mendoni se do ta shihni veten baba?

Redoni: Nuk e kam menduar ende, pasi unë nuk i bëj gjërat me plan.

Pse druheni të thoni historinë tuaj të vërtetë, apo keni më shumë se një të dashur?

Redoni: Druhem, sepse është jeta ime personale dhe unë nuk kam shumë dëshirë ta bëj publike atë, të nxjerr në pazar jetën time. Unë e kam të shenjtë jetën personale e nuk dua ta nxjerr në pah atë. Është si një çelës shtëpie, që hyn në të dhe kur del nga shtëpia e mbyll prapë me çelës, sepse është shtëpia jote.

Komplekset tuaja, cilat janë?

Redoni: Pikërisht të bërit publike jetën private. Kjo nuk më pëlqen.

Cila është gjëja që ju pengon në marrjen e vendimeve?

Redoni: Në fakt, kjo është edhe ana ime negative, pasi vendimet mezi i marr. Trembem të marr një vendim të madh.

Pse mendon se nuk është e denjë zgjedhja juaj?

Redoni: Aspak, thjesht më duket sikur do të lë mbas dore krijimtarinë.

Si e parashikoni veten pas 5 vjetësh?

Redoni: Kanë filluar të më bien flokët. Në fakt, nuk e shoh shumë të ndryshuar. /summer pages/

Në trend

Më shumë
Reshjet e shiut, vërshohen disa rrugë në Prishtinë

Reshjet e shiut, vërshohen disa rrugë në Prishtinë

Prishtina
Publikohen pamjet tronditëse të momenteve të fundit të Liam Payne sa ishte gjallë - stafi i hotelit kryen lëvizje të çuditshme dhe ka mospërputhje të kohës

Publikohen pamjet tronditëse të momenteve të fundit të Liam Payne sa ishte gjallë - stafi i hotelit kryen lëvizje të çuditshme dhe ka mospërputhje të kohës

Magazina
Droni i policisë iu heq nga duart shqiptarëve 2.8 milionë paund, burg pas zbulimit të “fabrikës” së drogës në Angli

Droni i policisë iu heq nga duart shqiptarëve 2.8 milionë paund, burg pas zbulimit të “fabrikës” së drogës në Angli

Lajme
Nëse e shihni këtë grua, lajmërojeni policinë - dyshohet për vjedhje

Nëse e shihni këtë grua, lajmërojeni policinë - dyshohet për vjedhje

Kronika e Zezë
Suspendohen dy gjyqtarët e UEFA-s pas gabimit të rëndë në Ligën e Kombeve

Suspendohen dy gjyqtarët e UEFA-s pas gabimit të rëndë në Ligën e Kombeve

Ndërkombëtare
Zyrtari i lartë ushtarak britanik: Jemi të gatshëm qysh sonte të luftojmë me Rusinë

Zyrtari i lartë ushtarak britanik: Jemi të gatshëm qysh sonte të luftojmë me Rusinë

Evropa
Kalo në kategori