Realizohet për herë të parë me sukses ndërhyrje kirurgjikale për Sindromën Eagle (një patologji e rrallë dhe komplekse), në Klinikën e Kirurgjisë Vaskulare në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.

Sipas një njoftimi për media bëhet e ditur se sindroma Eagle shkaktohet nga zgjatja jonormale e procesit stiloid në bazën e kafkës dhe manifestohet me dhimbje të forta në qafë dhe fyt, vështirësi në gëlltitje, si dhe, në raste të caktuara, me çrregullime të qarkullimit të gjakut për shkak të afërsisë me arteriet karotide.



“Pacienti M. D., mashkull, i lindur më 1964, paraqiste simptoma klinike të vazhdueshme. Pas ekzaminimeve të nevojshme biokimike, radiologjike dhe të tjera, u konstatua një zgjatje e procesit stiloid me gjatësi rreth 5.5 cm, gjë që e bënte të domosdoshëm trajtimin kirurgjikal”, thuhet në njoftim.

Tutje bëhet e ditur se duke marrë parasysh përfshirjen e strukturave vaskulare të qafës, u vendos që ndërhyrja të realizohej në Klinikën e Kirurgjisë Vaskulare, përmes qasjes ekstraorale, e cila mundëson ekspozim optimal anatomik dhe kontroll të plotë të strukturave vitale vaskulare dhe nervore.

“Ndërhyrja kirurgjikale është realizuar me sukses, ndërsa pacienti ka shfaqur përmirësim të menjëhershëm të simptomave. Aktualisht, ai është në gjendje të mirë shëndetësore dhe pritet të lirohet për trajtim shtëpiak. Ky intervenim përfaqëson një arritje të rëndësishme profesionale për Klinikën e Kirurgjisë Vaskulare dhe një dëshmi të rritjes së kapaciteteve institucionale të QKUK-së për trajtimin e patologjive të rralla dhe komplekse, në përputhje me standardet bashkëkohore mjekësore”, thuhet në njoftim. /Telegrafi/