Reagon Ilir Demiri: "Safe City" do të kalonte edhe pa votën time, do të kërkoj që të zbatohet edhe në qytetet tjera

Deputeti i pavarur në Kuvend, Ilir Demiri, ka dalë me reagim pas votimit të ndryshimeve në Ligjin për kundërvajtje, të cilat fuqizojnë projektin "Safe City" dhe akuzave që qarkulluan në drejtim të tij. Demiri shkruan se ai në Kuvend ka hyrë për të qenë urë lidhëse mes qytetarit dhe institucioneve.
Demiri gjithashtu shkruan se projekti "Safe City" kalonte pavarësisht votës së tij, pasi siç thotë, ligji do të miratohej edhe me shumicë të cilësuar.
"Ndjej obligim moral të sqaroj publikisht se: unë, Ilir Demiri, nuk kam hyrë në politikë kundër qytetarëve, as për t’u bërë pengesë e tyre. Jam këtu për të qenë urë lidhëse mes qytetarit dhe institucioneve. Në linjë me këtë, sa i përket votimit për funksionalizimin e projektit Safe City, si e para, duhet të jetë e qartë për publikun se kjo pikë e rendit të ditës do të kalonte pavarësisht votës sime, pasi ligji do të miratohej edhe me shumicë të cilësuar. Pavarësisht kësaj, qëndrimi im pro Safe City buron nga bindja ime se ky projekt nuk është në dëm të qytetarëve, por përkundrazi kontribuon në rritjen e rendit dhe sigurisë publike. Për këtë qëndrim timin, nuk ka pasur asnjë presion ndaj meje, sepse as nuk do ta kisha lejuar një gjë të këtillë kurrë dhe për asgjë".
"Ashtu siç jam deklaruar më herët, vazhdoj të veproj si deputet i pavarur. Askush nuk mund të më kërcënojë, bindë apo joshë për të vepruar kundër interesit të qytetarëve. Nuk bie pre e inxhinierive politike dhe përpjekjeve për njollosje, sepse jam i bindur se e vërteta gjithmonë del në dritë. Pretendimi se vota ime ka qenë kundër shqiptarëve është i pavërtetë, i pabazuar dhe shumë naiv. Statistikat zyrtare sipas të dhënave nga Regjistrimi i Popullsisë në vitin 2021, tregojnë qartë se ky projekt nuk targeton asnjë komunitet, por zbatohet në qytetet më të mëdha, për të gjithë qytetarët. Unë do jem Ai i cili do kërkoj që ky projekt të vazhdojë të instalohet, e të funksionojë edhe në qytetet tjera", shkruan mes tjerash Demiri.
"Dhe po, unë jam deputet shqiptar, që mbroj mbi të gjitha interesat e komunitetit tim, e padyshim dhe të gjithë qytetarëve - pa dallime. Praktika e vjetër e shpifjeve dhe manipulimeve nuk i shërben askujt, madje as atyre që e prodhojnë atë. Qytetarët e dinë mirë se kush dhe si ka kontribuar në gjendjen aktuale të vendit, shpesh degraduese. Ju siguroj se unë do të vazhdoj të qëndroj në anën e qytetarit, me ndërgjegje të pastër dhe me përgjegjësi të plotë morale", ka shkruar Demiri.





















































