Sekretari Organizativ i Lëvizjes Vetëvendosje, Alim Rama, ka reaguar pas rinumërimit të votave të pavlefshme me postë, duke e cilësuar këtë proces si një dëshmi të qartë të manipulimeve nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK).
Sipas Ramës, nga rinumërimi i 1,631 fletëvotimeve me postë, të cilat Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) i kishte shpallur të pavlefshme për shkak të problemeve teknike në shtypjen e tyre, rezultati ka treguar se LDK ka përfituar vetëm 10% të këtyre votave, duke u renditur e treta pas Vetëvendosjes dhe Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), njësoj si në votimin brenda Kosovës.
Nga 1,046 fletëvotime të rinumëruara – prej të cilave 585 dolën të pavlefshme – LDK ka marrë vetëm 104 vota, ndërsa kandidati që më herët ishte renditur i dyti me mbi 12,000 vota të kontestuara nga diaspora, ka arritur të sigurojë vetëm 9 vota nga ky proces.
Rama theksoi se ky rinumërim tregon një realitet shqetësues për mënyrën se si votat e bashkatdhetarëve mund të shpallen të pavlefshme, duke ndikuar drejtpërdrejt në vullnetin e votuesve dhe duke penguar standardet demokratike në Kosovë.
“Manipulimet e tilla pengojnë përparimin e Republikës së Kosovës dhe e bëjnë të pamundur që vendi të ecë përpara me zgjedhje të lira, të drejta dhe demokratike,” përfundoi Rama.