Site icon Telegrafi

Rama prezanton Hysenin si drejtuese e Shërbimit Informativ të Shtetit

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama e ka nisur ditën me prezantimin e Vlora Hysenit si drejtuese e Shërbimit Informativ Shtetëror, vetëm një ditë pasi ajo u dekretua nga Presidenti Bajram Begaj. 

Hyseni u propozua për këtë post pak kohë më parë nga vetë Rama pas një takimi me Presidentin Begaj.

“Sapo mbaruam prezantimin në institucion të drejtores së re të Shërbimit Informativ të Shtetit, Vlora Hyseni, e cila u dekretua dje nga Presidenti i Republikës”, shkruan Rama në Facebook, pa dhënë detaje rreth prezantimit.

Kujtojmë se Hyseni ka qenë në krye të institucionit më të lartë të sigurisë dhe inteligjencës në Kosovë që nga dhjetori i vitit 2020, kur u shkarkua drejtori Kreshnik Gashi, deri në prill të vitit 2021, kur në detyrën e drejtorit u emërua Petrit Ajeti.

Lexo po ashtu Vlora Hyseni në krye të Shërbimit Informativ të Shtetit

Në shkurt të vitit 2019, Vlora Hyseni u emërua zëvendësdrejtoreshë në Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë. Paraprakisht, ajo ishte drejtoreshë për marrëdhënie me jashtë në AKI.

Presidentja Kosovës, Vjosa Osmani dhe kryeministri, Albin Kurti, më 30 qershor të vitit 2021 e kishin shkarkuar nga detyra Hysenin.

Presidenti Bajram Begaj dekretoi në 23 dhjetor 2022 lirimin nga detyra të drejtorit të Shërbimit Informativ i Shtetit, Helidon Bendo, i cili ishte emëruar në detyrën e drejtorit të Shërbimit Informativ të Shtetit në datën 5 nëntor 2018.

SHISH është institucion qendror që varet nga Kryeministri dhe drejtohet nga Drejtori. Veprimtaria e SHISH-it bazohet në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë dhe në legjislacionin në fuqi.

Drejtori dhe zëvendësdrejtori i SHISH-it emërohen nga Presidenti i Republikës, me propozim të Kryeministrit. Struktura dhe organika e SHISH-it propozohen nga Drejtori dhe miratohet nga Kryeministri. Parimet bazë të punës së këtij institucioni janë ligjshmëria, objektiviteti dhe sekreti. /Telegrafi/

Exit mobile version