LAJMI I FUNDIT:

Qyteti i nëndheshëm ku nuk mungon turizmi dhe luksi

Qyteti i nëndheshëm ku nuk mungon turizmi dhe luksi

Nga sipërfaqja duken galeri normale të shpuara diku në shkretëtirën australiane, por brenda tyre fshihet një qytet i tërë, madje shumë luksoz

Në rrugën e gjatë drejt Australisë qendrore, të shoqëron një peizazh krejtësisht i shkretë që ngjason me një hapësirë të pafundme. Por, papritur, shfaqen disa ndërtime misterioze që ngjasojnë me piramida rëre. Këto janë shenjat e para të Coober Pedy, një qytet i minierave të opalit, me një popullsi prej rreth 2500 banorësh që jetojnë nëntokë.

Ky qytet është zgjeruar ndër vite dhe sot është një ndër destinacionet turistike më unike në botë për t’u vizituar.


Hyrjet në të mund të krijojnë imazhin e gabuar. Ato ngjasojnë më shumë me gropa të hapura nga kafshë, por menjëherë sapo je brenda një realitet tjetër ke përballë.

Qytetit nuk i mungon asgjë. Ka spitalin, kishën, kinemanë, qendra argëtimi e madje edhe mijëra qindra banorë që janë rezidentë të përhershëm.

Coober Pedy, në Australinë e Jugut, u themelua në fillim të shekullit të njëzetë, kur u zbulua minerale në zonë dhe minatorët filluan të jetojnë këtu. Shpejt u vërejt se temperaturat e larta ishin shumë të vështira për t’u përballuar, kështu që minatorët filluan të gërmojnë tokën për të ndërtuar shtëpi nëntokë që i mbronte nga dielli përvëlues.

Ata bënë zgjedhjen e duhur, pasi edhe sot, shumë njerëz preferojnë të jetojnë më shumë në një shtëpi të nëndheshme sesa në shtëpitë e ndërtuara në sipërfaqe të tokës, megjithëse kostot e ndërtimit janë relativisht të ngjashme.

Temperaturat i kalojnë 40 gradë Celsius gjatë verës dhe ju duhet patjetër ajri i kondicionuar për të përballuar nxehtësinë në godinat e ndërtuara mbi sipërfaqen e tokës, ndërsa në shtëpitë e nëndhshme, temperaturat mbeten konstante dhe të freskëta, pa i kaluar 24 gradë Celsius.

Në këtë cep të botës, 60% e popullsisë jeton në shtëpi të ndërtuara në shkëmbinj ranor. Në disa lagje, shenjat e vetme se aty ka jetë janë boshtet e ventilimit që ngjiten nga nëntoka lart. Në dimër, kjo mënyrë jetese mund të duket e çuditshme. Por në një ditë vere, Coober Pedy merr kuptim. Temperaturat janë aq ekstreme saqë zogjtë bien nga qielli dhe pajisjet elektronike duhet të ruhen në frigoriferë.

Coober Pedy nuk është vendbanimi i parë në botë, madje as më i madhi, nëntokësor. Njerëzit janë tërhequr nga nëntoka për të përballuar klimat sfiduese për mijëra vjet. Shembulli më i famshëm është Kapadokia në Turqi.

Rajoni ndodhet në një pllajë të thatë dhe është i famshëm për gjeologjinë mahnitëse, me një peizazh majash të skalitura shkëmbore.

Ashtu si në Coober Pedy, jeta nëntokësore i ndihmoi banorët e rajonit të përballen me klimën kontinentale, e cila luhatet midis verës së nxehtë, të thatë dhe dimrit të ftohtë e me dëborë

Një zgjidhje efektive

Rruga për në Coober Pedy është krejt normale, plot restorante, bare, supermarkete e pika karburanti. Coober Pedy është komplet e kundërta… çdo gjë mbi sipërfaqe është e shkretë. Mirëpo sa më shumë të hysh nëpër tunelet nëntokësore aq më shumë ndihet jeta e vrullshme e banorëve të këtij vendbanimi.

Ndërtesat nëntokësore duhet të jenë të paktën katër metra të thella, për të parandaluar shembjen e çative të tyre dhe nën këtë sasi shkëmbinjsh, është gjithmonë një temperaturë e butë 23 gradë celsius. Ndërsa banorët mbi tokë duhet të durojnë verën e nxehtë, shtëpitë nëntokësore ruajnë një temperaturë perfekte gjatë gjithë dimrit.

Përveç rehatisë, një avantazh tjetër i jetesës nëntokësore janë paratë. Coober Pedy gjeneron të gjithë energjinë e tij elektrike – 70% e së cilës mundësohet nga era dhe dielli.

Gjatë një ankandi të fundit, një shtëpi mesatare me tri dhoma gjumi u shit për rreth 26.000 dollarë. Megjithëse shumë nga këto prona janë jashtëzakonisht bazike ose kanë nevojë për rinovim, ka një hendek të madh midis çmimit të këtyre shtëpive dhe atyre në qytetin më të afërt, Adelaide, ku çmimi mesatar i shtëpisë është 457.000 dollarë.

Çuditërisht, stili i jetesës nëntokësore mund të sigurojë gjithashtu njëfarë mbrojtjeje kundër tërmeteve.

“Ne kemi përjetuar dy tërmete që kur unë kam jetuar këtu dhe asgjë nuk ndodhi”, thotë një nga banorët. Gjithashtu, një avantazh tjetër i këtij qyteti është se në të mund të kryesh punime shumë thjesht. Shkëmbinjtë janë të butë dhe mund të gërvishten madje edhe me thonj.

“Ju mund të ndërtoni dhoma dhe hapësira të tjera në çdo formë që ju pëlqen, pa materiale shtesë. Shumë vendas jetojnë në banesa luksoze me pishina nëntokësore, dhoma lojërash dhe banja të gjera. Një vendas e ka përshkruar madje shtëpinë e tij nëntokësore si “si një kështjellë”.