Quni ia kthen Gërvallës: Nuk mund t'ia besoj një post të rëndësishëm një personi që ka ndryshuar anë dhe ka braktisur njësinë

Deputeti i LDK-së, Anton Quni, i është kundërpërgjigjur deputetes Donika Gërvalla, e cila sot deklaroi se deputetët e LDK-së kanë pasur mundësinë ta votojnë atë për kryeparlamentare, dhe në këtë mënyrë të zhbllokohej procesi i konstituimit të Kuvendit.
Quni në reagimin e tij ka deklaruar se për të besimi është themeli i çdo marrëdhënie, ashtu edhe në politikë, transmeton Telegrafi.
"Pse është e rëndësishme besnikëria në politikë?Për mua, besimi është themeli i çdo marrëdhënieje. Kjo vlen edhe për politikën. E dëgjova ankesën e deputetes Donika Gërvalla-Schwarz që nuk e votova për kryetare të Kuvendit. Kjo më bëri të reflektoj mbi një standard që unë e kam thelbësor: besnikërinë. Kam një parim të palëkundur, si në jetë, ashtu edhe në punë: nuk mund t'ia besoj një post të rëndësishëm një personi që ka ndryshuar anë dhe ka braktisur njësinë. Kjo është njësoj sikur të avancosh në detyrë një ushtar që ka dezertuar një ditë më parë", thotë Quni në reagimin e tij.
Mes tjerash, ai ka shkruar se ai beson vetëm tek ata që qëndrojnë besnikë edhe kur gjërat vështirësohen.
"Është kjo besnikëri që ndërton besim dhe bën të mundur punën e vërtetë, atë që është në shërbim të qytetarëve", pohoi ai.
Ndryshe, Gërvalla u propozua para disa ditësh nga LVV për kryeparlamentare, por e njëjta nuk mori votat e mjaftueshme.
Sot para mediave, Gërvalla kritikoi deputetët e LDK-së, duke përmendur edhe Qunin.
“Sa i përket LDK-së, unë nuk jam anëtare e Lëvizjes Vetëvendosje. LDK jo vetëm për këtë arsye, por edhe për shumë arsye tjera ka pasur mundësi ta zhbllokojë Kuvendin. Imagjinoni, aty në kuvend janë të ulur djali i Xhemajl Mustafës (Besian Mustafa), nipi i Tahir Zemajt (Armend Zemaj), dy komandantë të Koshares, Fadil Hadërgjonaj dhe Anton Quni….Këta katër u bënë bashkë me PDK-në edhe me Listën Serbe për të votuar kundër Donika Gërvallës. Shqipe Selimi nuk ka votuar. Shqipe Selimi nuk është bërë bashkë me Listën Serbe për të votuar kundër meje…”, tha Gërvalla.
Ndryshe, seanca e radhës për konstituimin e Kuvendit do të jetë ditën e diel, 24 gusht./Telegrafi/




















































