Qendra Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Prizren, të premten, ka njoftuar se ka nisur procesin e hartimit të projektit për ndërhyrjet restauruese në Kullën e Zaptive në fshatin Zym.
Sipas këtij njoftimi, bëhet fjalë për një ndërtesë me rëndësi historike dhe arkitektonike.
“Ky projekt synon të sigurojë ruajtjen dhe promovimin e vlerave të kësaj ndërtese, e cila ka pasur funksione të ndryshme publike deri në mesin e shekullit XX”, thuhet në njoftim, raporton Telegrafi.
QRTK Prizren ka bërë të ditur se stafi profesional është i angazhuar që hartimi i projektit të përfundojë brenda afateve optimale, duke respektuar standardet më të larta në fushën e konservimit dhe restaurimit.
“Të gjitha fazat e punës po realizohen me kujdes të veçantë, duke u mbështetur në hulumtime historike dhe analiza teknike të detajuara. Pas përfundimit të procedurave ligjore, do të nisë zbatimi i projektit, duke mundësuar ndërhyrje të nevojshme për mbrojtjen dhe funksionalizimin e ndërtesës”, thuhet në njoftim, raporton Telegrafi.
Gjithashtu theksohet se ky është një hap i rëndësishëm drejt valorizimit të trashëgimisë kulturore dhe forcimit të identitetit historik të komunitetit në Zym. /Telegrafi/