Site icon Telegrafi

Qofte me spinaq në furrë

Pavarësisht se duket si e mundimshme, por nuk është aspak ashtu…më tepër zgjat leximi se përgatitja. Shijoni një pjatë shumë aromatike dhe oreksndjellëse.

Përbërësit:

▪ 600 gr mish viçi i grirë (me 20 përqind dhjamë)
▪ 1 qepë (e mesme)
▪ 1 lugë kafeje piper i zi
▪ 1 thelbi hudhër
▪ 1 tufë majdanoz
▪ 1 lugë çaji kripë
▪ 2 kokrra vezë (të verdhat)
▪ 50 gr miell (galeta)
▪ 500 gr spinaq (vetëm gjethe)
▪ 100 gr qumësht
▪ 50 gr krem
▪ gjysmë tufe nenexhik
▪ 1 tufë kopër
▪ 50 gr vaj ulliri
▪ 1 lugë gjelle miell

Përgatitja:

Pasi t’i prisni qepën, hudhrën e majdanozin hollë, hidhni kripën, piperin, miellin galetë dhe të verdhat e vezëve dhe përzieni.

Pastaj hidhni mishin e grirë dhe përzieni rreth 10 minuta sikur bëni brumë.

Vendoseni në frigorifer për t’u marinuar rreth një orë. Ky është një proces shumë i rëndësishëm për t’u njehsuar me mishin çdo përbërës…

Gjatë marinimit përgatisni harxhin e spinaqit.

Spinaqin, nenexhikun dhe koprën e grijmë hollë dhe e lëmë të kullojë.

Në një tigan e skuqim miellin me vaj ulliri dhe ia hedhim qumështin e ftohtë. Kur sapo të nisë të ziejë vendosim barishtet, e fikim zjarrin dhe e lëmë në avullin e vetë të mbuluar me kapak…

E nxjerrim mishin e grirë nga frigoriferi dhe e ndajmë në 12 copa, i rrumbullakosim dhe nëpërmjet gishtit të madh krijojmë gropa në secilën prej tyre…

I rreshtojmë në një tavë mbi letrën e kuzhinës dhe i lëmë të piqen rreth 15 minuta në temperaturë 180 gradë, shkruan Shije.

Kur të kenë nisur të marrin ngjyrën e kuqe e nxjerrim nga furra dhe nëpërmjet një luge i vendosim harxhin në gropat e qofteve, një nga një.

Gjithashtu e ndajmë në mënyrë të barabartë edhe kremin me një lugë kafeje…

E vendosim sërish të piqet rreth 5 minuta…Është një gatim i cili jua zbukuron tavolinën gjithë shije…/Telegrafi/

Exit mobile version