QKMF Prizren ndërmerr aktivitet ndërgjegjësues për hipertensionin

Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare “Dr. Nexhip Berisha” në Prizren ka njoftuar se ka ndërmarrë një aktivitet ndërgjegjësues lidhur me hipertensionin.
Ky institucion shëndetësor ka bërë të ditur se për nder të Ditës Ndërkombëtare të Hipertensionit, menaxhmenti dhe ekipet profesionale “janë duke zhvilluar aktivitete vetëdijesuese për qytetarët, përmes matjes falas të tensionit të gjakut dhe ofrimit të këshillave për parandalimin e shtypjes së lartë të gjakut”, raporton Telegrafi.
Në të njëjtën kohë është sqaruar se qytetarët kanë mundësinë që gjatë ditës t’i nënshtrohen matjes së tensionit dhe të marrin informacione të dobishme nga profesionistët shëndetësorë për mënyrat se si të kujdesen për shëndetin e zemrës, përmes ushqimit të shëndetshëm, aktivitetit fizik dhe shmangies së faktorëve të rrezikut.
“QKMF Prizren inkurajon të gjithë qytetarët të përfitojnë nga ky aktivitet dhe të ndërmarrin hapa konkret drejt një stili jetese më të shëndetshëm”, përfundon njoftimi. /Telegrafi/
















































