Kryetari i komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti u është drejtuar me një letër institucioneve vendore e ndërkombëtare lidhur me rrezikun që iu kanoset prishtinasve nga qentë endacakë.
Lexoni të plotë letrën e Ahmetit drejtuar institucioneve
“Të nderuar përfaqësues të institucioneve vendore e ndërkombëtare,
Po ju shkruaj për të tërhjekur vëmendjen tuaj në lidhje me një emergjencë që po rrezikon seriozisht sigurinë e qytetarëve të Republikës së Kosovës e posaçërisht të qytetarëve të kryeqytetit.
Javëve të fundit dhe posaçërisht ditëve të fundit, numri i qenve endacakë është shtuar dukshëm dhe ka arritur nivele alarmante. Kemi dhjetëra thirrje në ditë nga qytetarët që po lajmërojnë incidente çdo orë, ku mezi kanë shpëtuar nga sulmet.
Komuna e Prishtinës ka të kontraktuar një kompani për sterilizimin dhe kastrimin e qenve, mirëpo këto kapacitete nuk po mjaftojnë. Kemi ngritur shkallën e gatishmërisë në nivel të Komunës së Prishtinës dhe kemi shtuar fondet në komunë por as kjo nuk po mjafton.
Jemi të detyruar të kërkojmë ndihmën e institucioneve qendrore para se të ndodhë ndonjë tragjedi.
Kërkojmë ndihmë nga Qeveria, Policia e Kosovës, Forca e Sigurisë së Kosovës, UP – dega e veterinarisë si dhe KFOR-i për tu ballafaquar me këtë problem.
Organizimi i një takimi të menjëhershëm për koordinim të institucioneve është i domosdoshëm”. /Telegrafi/