Nga: Neil Armstrong / BBC
Përkthimi: Telegrafi.com

Së fundmi u dha lajmi për dy romane të reja në serinë e romantazisë Oborri me gjemba dhe trëndafila [A Court of Thorns and Roses], dhe menjëherë vlera e aksioneve të shtëpisë botuese të librave u rrit me një 20 përqindësh të jashtëzakonshëm. Autorja e serisë, Sarah J Maas, është figurë shumë e rëndësishme në botimet letrare, me librat e saj të përkthyer në 40 gjuhë dhe me më shumë se 70 milionë kopje të shitura në mbarë botën. Suksesi i saj është pjesë e një rritjeje më të gjerë të romantazisë me zanat - e quajtur me shaka edhe erotikë zanash [faerie smut].


Ky zhanër zakonisht paraqet një heroinë femër që përballet me sfida të vështira në një botë të ndërlikuar fantazie, zakonisht në botën fae - një fjalë e vjetër frënge për zanat. Ajo përfshihet në një marrëdhënie romantike me një figurë të ndërlikuar, të paparashikueshme dhe të mbinatyrshme. Zakonisht ka edhe një element erotik - adhuruesit i referohen nivelit të “pikanterisë”, që mund të ndryshojë nga skena relativisht të pafajshme puthjesh deri te përshkrime të drejtpërdrejta të marrëdhënieve seksuale.

Megjithatë, elementi i nxehtë i këtij zhanri nuk është aspak i ri. Zanat në këto tregime nuk janë krijesat të shkëlqyera me shkop magjik dhe dashamirëse që plotësojnë dëshira, si në përrallat e fëmijëve dhe imazhet viktoriane. Ato janë qenie komplekse, të rrezikshme dhe seksuale - pikërisht ashtu siç kanë qenë fillimisht në folklor.

“Lidhja midis zanave dhe seksualitetit shkon shumë pas në kohë”, thotë Francis Young, autor i librit të ri Zanat: Një histori [Fairies: A History]. “Ajo shihet në traditën e grave zana ose burrave mitik që joshin gra apo burra njerëzorë. Ndoshta shembulli më i famshëm i një historie të tillë është historia e Tam Linit”.

Një ilustrim i vitit 1491 nga “Historia e Meluzinës së Bukur”, një legjendë ku një burrë njerëzor martohet me një zanë(Alamy)

Në këtë baladë të vjetër skoceze të viteve 1540, një grua e quajtur Xhanit këput një trëndafil në pyllin e Kartehoit dhe përballet me një të ri të bukur të quajtur Tam Lin. Më vonë ajo zbulon se është shtatzënë dhe e kërkon sërish Tam Linin. Ai i tregon se mbahet rob nga Mbretëresha e Zanave, por Xhanita mund ta çlirojë nëse ndjek udhëzimet e tij.

Ekziston një nëntekst i fortë seksual në këtë baladë. Xhanita vesh të gjelbrën, një ngjyrë e lidhur me joshjen, dhe mund të ketë shkuar në pyll me qëllimin për të joshur Tam Linin; në disa versione, ajo duhet ta mbajë fort atë teksa zanat e shndërrojnë në mënyrë magjike në forma të ndryshme, duke përfunduar si një burrë i zhveshur.

Këtu përmbyset nocioni tradicional i heroit mashkull që shpëton vajzën në rrezik, dhe Sarah J Maas e ka përmendur këtë baladë si një nga frymëzimet e saj. Një nga personazhet kryesore në universin Oborri me gjemba dhe trëndafila (ACOTAR) quhet Tamlin.

Young thekson se ekzistojnë histori të ngjashme përtej Britanisë dhe Irlandës. “Është edhe skogsrå nordike [zana apo shpirt i pyllit], e cila shfaqet si një grua e bukur dhe joshëse në pyll, por nëse e shikon nga afër, do të vësh re se ka thundra lope. Kushdo që kryen marrëdhënie seksuale me të, do të vdesë brenda një viti”, thotë ai. “Skogsrå-t janë të ngjashme me huldra-t skandinave”.

Shpirtra të botës tjetër

Një tjetër grup historish që përfshijnë marrëdhënie seksuale midis një figure nga “bota tjetër” mbinatyrore dhe një njeriu, njihen kolektivisht si legjenda e Meluzinës - një tregim për një shpirt të fuqishëm uji ose zanë. Kelly Fitzgerald, drejtuese e Shkollës së Studimeve Irlandeze, Keltike dhe të Folklorit në Kolegjin Universitar të Dublinin, i thotë BBC-së: “Legjenda e Meluzinës [1393] vjen nga tradita franceze, por është shumë e përhapur në Irlandë - burri njerëzor që martohet me selkie-n ose gruan-fokë”.

Në veprën “Ëndrra e një nate vere” të Shakespeareit, e shkruar në vitet 1590, mbretëresha e zanave Titania bie në dashuri me një njeri të cilit i është shndërruar koka në atë të një gomari(Alamy)

Ky lloj tregimi ka edhe të kundërtën e vet, ku një protagoniste femër bie në dashuri me një bishë që rezulton të jetë një burrë i magjepsur. Fitzgerald, autore e Folklori dhe përrallat irlandeze [Irish Folk and Fairytales], jep shembullin e një tregimi nga Donegali për një princeshë që martohet me një burrë, të cilin njerka e tij e ka shndërruar në dem - një magji tjetër i lejon atij të kthehet në njeri natën, sa herë që shkon në shtratin e princeshës.

Jehona e këtij lloji të përrallave popullore gjendet edhe te Ëndrra e një nate vere e Shakespeareit, shkruar në mesin e viteve 1590. Titania, mbretëresha e zanave, nën ndikimin e një magjie bie në dashuri me një endës të quajtur Botom, të cilit Paku - një shërbëtor i djallëzuar dhe ndonjëherë mizor i Mbretit të Zanave - ia ka shndërruar kokën në atë të një gomari (paku është një lloj zane, i lidhur me pucca-n irlandeze, dhe mund të quhet edhe Robin Gudfellou). Titania ka katër shoqëruese dhe shumë inskenime teatrale theksojnë potencialin erotik të zanave. Një realizim i vitit 1999 nga RSC, me regji nga Michael Boyd, ishte aq i ngarkuar seksualisht saqë një grup nxënësish u largua gjatë pushimit.

Engjëj të rënë dhe gjysmë-perëndi

Debati mbi atë se çfarë janë saktësisht zanat - engjëj të rënë, gjysmë-perëndi apo shpirtra njerëzorë - vazhdon ende, dhe disa i shohin pararendëset e tyre te figurat si Lilita. Me gjasë me origjinë mesopotame, Lilita u përfshi në disa tradita folklorike hebraike si gruaja e parë e Adamit, e cila u dëbua nga Edeni pasi kërkoi të ishte e barabartë me të. Ajo kryen marrëdhënie seksuale me burra, shpesh kur ata janë në gjumë, për të mbetur shtatzënë. Lilita shpesh lidhet me Laminë, një figurë nga mitologjia greke. Edhe Lamia josh burra dhe, si Lilita, rrëmben foshnja - një sjellje tipike e zanave.

Është e vështirë të përcaktohet saktësisht se kur ose pse zanat filluan të shndërroheshin nga qenie tekanjoze dhe të frikshme të folklorit, në krijesa me krahë të shkëlqyeshëm dhe dashamirëse që shumë njerëz i imagjinojnë sot. Sipas librit Folklori magjik: Zanat britanike dhe irlandeze nga viti 500 pas Krishtit deri në ditët e sotme [Magical Folk: British and Irish Fairies 500AD to the Present] nga Simon Young dhe Ceri Houlbrook, krahët e parë të zanave “shfaqen vetëm në fund të shekullit XVIII në piktura dhe ishin shpikje e një grupi artistësh britanikë, dhe jo tipar i folklorit tradicional. U deshën edhe 70 vjet që krahët e zanave të përmendeshin në përralla dhe më pas edhe 50 vjet të tjera që të shfaqeshin pretendimet e para se njerëzit kishin parë zana me krahë”.

“Rënia e engjëjve rebelë” (1562) e Pieter Bruegelit(Alamy)

I njëjti libër thekson se besimi në zana filloi të binte nga mesi i shekullit XIX, me ardhjen e epokës industriale, ndoshta si rezultat i urbanizimit dhe zvogëlimit të zonave rurale që preferoheshin nga figurat mitike, ose si pasojë e rritjes së njohurive shkencore dhe skepticizmit ndaj besëtytnive popullore. Ndoshta edhe përmirësimi i mbijetesës së foshnjave kontribuoi në zbehjen e besimit te zanat.

Në njëfarë mënyre, krijimi i JM Barrieit, Tinker Belli nga Piter Pani [Peter Pani], përfaqëson si traditat e vjetra, ashtu edhe ato të reja: ajo nga pamja i ngjan zanave të ëmbla dhe të bukura, por është kaotike dhe mizore - dhe xheloze, në aspekt seksual, ndaj Uendit.

Pse romantazia me zanat po shpërthen tani

Nëse romantazia me zanat mbështetet në tradita mijëravjeçare, pse popullariteti i saj po rritet kaq shumë tani? Demografia kryesore e lexuesve janë gratë e reja, megjithëse kohët e fundit duket se edhe më shumë burra po i afrohen këtij zhanri. Shitjet e librave po rriten ndjeshëm dhe disa adaptime televizive janë në zhvillim.

“Mendoj se lexuesit më shumë se kurrë po kërkojnë arratisje nga realiteti”, thotë Katie Fraser nga The Bookseller për BBC-në. “Këta libra ofrojnë ngushëllim”.

Fraser, e cila është vetë lexuese e këtij zhanri, nuk është dakord me termat “erotikë zanash” apo “pornografi zanash” [fairy porn]. “Nuk pajtohem aspak me emërtimin ‘pornografi zanash’”, thotë ajo. “E zhvlerëson punën e shkruar nga gratë dhe të lexuar kryesisht nga një audiencë femërore. Po, librat përmbajnë seks, por ato përfshijnë gjithashtu ngjarje dinamike dhe fokusohen te fuqizimi dhe veprimi i grave”.

Romanet e sotme të romantazisë me temë zanash pasqyrojnë qartësisht tregimet e folklorit historik(Alamy)

“Historikisht, gratë kanë qenë gjithmonë lexuese më të mëdha të letërsisë romantike sesa burrat”, thotë Fitzgerald. “[Shtëpia botuese e letërsisë romantike] Mills & Boon është fantazi dhe arratisje nga realiteti. Dhe, një figurë si Poldarku, nga romanet e Winston Grahamit, është po aq fantazi sa një dashnor nga bota e zanave”.

Ajo shton: “Është e qartë se ka diçka në këto tregime të përjetshme që e kap fuqishëm imagjinatën njerëzore. Ato janë rrëfyer dhe rirrëfyer, dhe mënyra se si po shfaqen sot ndoshta është një përgjigje ndaj botës së tanishme - dhe një nevojë për to”.

“Gjithashtu”, shton ajo duke qeshur, “kam dëgjuar që të rinjtë sot nuk po bëjnë aq shumë seks sa të rinjtë e para 10 vjetëve. Mos ndoshta ka lidhje edhe kjo”? /Telegrafi/