Site icon Telegrafi

Qehaja: Hapja e Zyrës së Mbrojtjes ruse në Serbi, kërcënim serioz për Kosovën dhe NATO-n

Eksperti i çështjeve ushtarake dhe të sigurisë, Ramadan Qehaja, hapjen e Zyrës të Ministrisë së Mbrojtjes të Rusisë në kuadër të Ministrisë së Mbrojtjes së Serbisë e sheh një hap të paramenduar të Beogradit zyrtar për zbatimin e një lufte speciale për t’iu kanosur shteteve fqinje, në veçanti shtetit të Kosovës.

Një veprim të tillë Qehaja e konsideron si të rrezikshëm dhe një sfidë para se gjithash për vetë NATO-n kur dihet se Serbia tashmë ka krijuar një partneritet të afërt bashkëpunues me Rusinë dhe Kinën, vende këto të cilat kanë ambicie për zgjerimin e ndikimit të tyre në Ballkan.

“Rritja e armatimit të Serbisë ngërthen një kërcënim direkt për stabilitetin e rajonit dhe është në mospërputhje me pretendimet gjoja bashkëpunuese të lidershipit aktual në Serbi për kinse arritjen e një paqe të qëndrueshme në rajon. Zyrtarizimi i tillë i prezencës ushtarake ruse në Serbi duhet të shërbejë si kambanë e fundit për institucionet tona që të ngritin gatishmërinë institucionale e në veçanti të atyre të sigurisë dhe të monitorojnë zhvillimet e fundit të cilat gjithsesi se kanë për qëllim nxitjen e destabilizimit në Kosovë e rajon”, shkruan Qehaja në Faecbook.

Ai kërkon nga diplomacia e Kosovës të veprojë në drejtim të një ri-bashkërendimi me partnerët ndërkombëtarë për t’i informuar lidhur me lëvizjet e fundit në Serbi, të cilat janë kundër interesave të partnerëve bilateralë kryesorë dhe NATO-s.

“Pavarësisht prej situatës së krijuar lidhur me veprimet e lartcekura serbe, Kosova duhet përveç përgatitjeve për vetëmbrojtje, të vijoj aspiratën e saj për fuqizim tutje të aleancës me akterët perëndimorë si një vizion i vetëm i palëkundur në funksion të paqes dhe sigurisë në Ballkan e Evropë”, ka shkruar Qehaja, transmeton Telegrafi.

Lexo po ashtu Ministria ruse e Mbrojtjes hap zyrë në Serbi

Edhe nënkryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj, e sheh si shenjë shqetësuese lajmin se Rusia do hapë zyrën e Ministrisë së Mbrojtjes në Serbi.

Hoxhaj ka reaguar në llogarinë e tij në Twitter, duke thënë se “kjo gjë paraqet sfidë për fqinjtë dhe orientimin atlantik e më gjerë”.

Ministria e Mbrojtjes e Serbisë njoftoi se ka nisur procedurën për hapjen e zyrës përfaqësuese të Ministrisë ruse të Mbrojtjes, në përputhje me një marrëveshje midis Qeverisë së Serbisë dhe Qeverisë së Rusisë.

“Qëllimi i krijimit të zyrës përfaqësuese të Ministrisë së Mbrojtjes së Rusisë është të ofrojë mbështetje dhe zgjidhje më të shpejtë të çështjeve, që lidhen me ndihmën ushtarake-teknike, bashkëpunimin ushtarak dhe ushtarako-teknik, në përputhje me marrëveshjen e Qeverisë së Serbisë dhe Qeverisë së Rusisë për bashkëpunimin ushtarako-teknik”, thuhet në njoftim.

Aty po ashtu theksohet se marrëveshja është nënshkruar në bazë të një pajtimi midis presidentëve të Serbisë dhe Rusisë, Aleksandar Vuçiq dhe Vladimir Putin.

Urdhri i Qeverisë ruse për hapjen e zyrës në Serbi daton nga 15 tetori dhe është nënshkruar nga kryeministri rus, Mikhail Mishustin, ka shkruar agjencia Reuters.

Sipas saj, shefi i zyrës së propozuar do të ndihmojë në zgjidhjen e çështjeve ushtarake dhe teknike, në lidhje me bashkëpunimin ruso-serb./Telegrafi/

Exit mobile version