Punëtorët e KEK-ut kërkojnë rritje pagash

Punëtorët e KEK-ut organizuan sot një protestë në Prishtinë, duke kërkuar rritje pagash dhe përmirësim të kushteve të punës.
Ata kritikuan menaxhmentin për deklaratat se pagat janë më të lartat në Kosovë, duke theksuar se paga bazë është rreth 750 euro dhe kërkuan një rritje në 1,100 euro.
Punëtorët kërkuan trajtim të drejtë për përgjegjësitë dhe rrezikun që bartin në punë.
Ata theksuan se pagat e menaxhmentit janë shumë më të larta, ndërsa punëtorët përballen me kushte të vështira.
Protestuesit paralajmëruan se nëse kërkesat nuk plotësohen, mund të kalojnë në grevë, duke e konsideruar këtë si një hap ekstrem për të arritur fitore për klasën punëtore.
Protestuesit kërkuan që pagat të rriten në 1,000 euro, duke theksuar se trajtimi aktual është i padrejtë dhe se nuk mund të vazhdojnë të trajtohen si skllavë.
Nexhat Llumnica, kryetar i sindikatës së re të KEK-ut kritikoi drejtorin e KEK-ut për deklaratën që pagat janë më të lartat në Kosovë.
Ai theksoi se paga bazë është rreth 750 euro, dhe kërkoi rritje në 1,100 euro për punëtorët.
Llumnica paralajmëroi se, nëse kërkesat nuk plotësohen sindikata do të kalojë në grevë, pas një periudhe të konsultimeve ligjore.
“... Kryeshefi i Korporatës Energjetike të Kosovës na tha që i keni mbi 1 mijë e 200 e diçka euro, ne Sindikata e re e Energjetikës së Kosovës e dimë që paga bazë është rreth 750 euro. Kam thënë që e kam një surprizë e ajo surprizë është mos t’ia shkelim fjalën kryeshefit, pra ne nga këtu kërkojmë 1 mijë e 100 euro pagë mesatare, për të mbetur kjo pagë mesatare 1 mijë e 100 euro duhet të shtohen edhe 350 euro për secilin punëtor në bazë të pagës mesatare. Prandaj, nga këtu kjo kërkesë do të jetë legjitime dhe nuk do të anashkalojmë asnjëherë deri në grevë ne do të kalojmë nëpër procedurat ligjore ashtu siç i kemi bë me shoqatën sindikale të KOSTT-it të cilët pas 3 muajsh kanë arritur të rritin pagën 150 euro... Do të bëjmë protestë do të dërgojmë letrën në ndërmjetësim ligjor për të shteruar mundësinë e fundit dhe për të vazhduar me grevë sepse rrugë tjetër nuk ka”, tha ai.
Xhelal Jashari kryetar i Shoqatës së Qymyrit kritikoi pagat e ulëta për punëtorët, duke krahasuar ato me pagat e menaxhmentit, që janë mbi 4000 euro.
Ai kërkoi rritje të pagës minimale në 1000 euro dhe paralajmëroi se greva do të sjellë shkarkime, por edhe fitore për punëtorët. Ai theksoi se trajtimi aktual është i turpshëm dhe punëtorët nuk mund të konsiderohen më si skllavë.
“Kjo padrejtësi bëhet nga këta njerëz të cilët i kanë pagat e tyre përmbi 4000 euro kurse punëtori as 400 euro. Nëse menaxhmenti mendon se i kanë të larta nuk i kanë edhe punëtorët këta punëtorë duhet ta kenë pagën minimale 1000 euro... U bëjmë apel të reflektojnë që këtyre punëtoreve të mrekullueshëm që i dhanë dritë Kosovës t’ua rrisin pagat. Pagat janë të padinjitetshme, pagat janë të ulëta, pagat e larta i ka vetëm menaxhmenti...Kur të hymë në grevë nuk do të ketë kthim mbrapa do të ketë shkarkime dhe do të ketë fitore për klasën punëtore... Neve na llogarisin skllavë këta, është e turpshme është marre”, u shpreh ai.
Gjatë kësaj proteste kryetari i sindikatës Nexhat Llumnica i pyeti shumicën e punëtoreve se sa e kanë rrogën aktualisht, teksa ata u përgjigjën që paga e tyre është nën 800 euro.
Punëtori i KEK-ut, Arif Midolli paralajmëroi se nëse kërkesat nuk plotësohen, mund të arrijnë deri në grevë, duke theksuar se greva nuk është e favorshme për askënd, përfshirë punëtorët, pasi ndihen të pambrojtur nga menaxhmenti dhe nuk kanë mbështetje nga populli. /kp/
























































