Ajo që ka rënë në sy, është mungesa e urimit të Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Ali Ahmetit

Lideri i Partisë Demokratike Shqiptare (PDSH), Menduh Thaçi, lideri I Rilindjes Demokratike Kombëtare (RDK), Vesel Memedi, Lëvizja Politike Besa dhe Partia për Prosperitet Demokratik (PPD), kanë uruar Kosovën për shtatë vjetorin e pavarësisë. Urime Kosovës i kanë dërguar edhe kryetarët e komunave të Gostivarit dhe të Strugës, Nevzat Bejta dhe Zuiadin Sela. Ndërsa në orët e mbrëmjes edhe Zëvendës kryeministri, Musa Xhaferi.


Ndërkaq, ajo që ka rënë në sy, është mungesa e urimit të Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Ali Ahmetit. Ndryshe nga Ahmeti, Thaçi ka dërguar tre telegrame urimi, një Presidentit të Republikës së Kosovës, znj.Atifete Jahjaga, një Kryetarit të Kuvendit të Republikës së Kosovës, z.Kadri Veseli dhe një Kryeministrit të Republikës së Kosovës, z.Isa Mustafa.

“Kam kënaqësinë e veçantë që në emrin tim personal dhe në emër të Partisë Demokratike Shqiptare të Ju uroj juve dhe gjithë shqiptarëve që këtë ditë ta kremtojmë me krenari dhe me bindje të plotë drejt progresit dhe integrimeve euroatlantike”, thuhet ndër të tjera në telegramet e Thaçit, transmeton lajmipress.

“Kosova ka dhënë një kontribut të madh jo vetëm për shqiptarët që jetojnë brenda vet shtetit, por edhe shqiptarëve anembanë botës për zhvillimin e tyre kulturor, demokratik dhe ekonomik. Për shkak të kësaj sakrifice të përmasave të mëdha brenda dhe jashtë shtetit, liderët e shtetit të Kosovës duhet të bëjnë çmos që ky vend i sakrificës të mos boshatiset sepse një gjë e tillë nuk ka ndodh as në kohërat më të vështira të sakrificës kombëtare. Për hir të kësaj sakrifice duhet bërë çmos që të krijohen kushte më të mira për gjithë popullin e Kosovës. Qofshi gjithmonë të pavarur Kosovë. Zoti e mbushtë këtë ditë për ju dhe për ne me shpirt patriotik”, thuhet në telegramin e RDK-së.

Lëvizja Besa ia uron presidentes së Kosovës pavarësinë me shpresë që Kosovën ta shohin në BE.

“Urojmë që përvjetorët e ardhshëm ta gjejnë Kosovën edhe më të konsoliduar dhe më afër familjes së madhe të Bashkimit Evropian”, thuhet ndër të tjera në telegramin e kësaj lëvizjeje.

Partia për Prosperitet Demokratik dhe anëtarësia e saj e gjerë të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës dhe udhëheqjes së saj politike ua uron shtatë vjetorin e pavarësisë së shtetit.

Urime për shtatë vjetorin e Pavarësisë së Kosovës ka dërguar edhe kryetari I Komunës së Gostivarit, kryetari I Komunës së Strugës dhe Qendra për Mirëkuptim dhe Bashkëpunim Institucional (QMBI).