Propozim-Ligji anti-duhan të martën do të jetë në seancë të Qeverisë

Ligji për mbrojtjen nga duhani do të shqyrtohet në seancë qeveritare të martën e ardhshme, pas së cilës do të procedohet edhe në Kuvend. Ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu, pret që ligji të hyjë në fuqi brenda një periudhe prej rreth një muaji e gjysmë, ku fillimisht, ishte paraparë që ai të zbatohej nga 1 marsi, por hyrja në fuqi u shty për shkak të reagimeve dhe vërejtjeve nga gastronomët.
“Mund të ju them se të gjitha çështjet e hapura tani janë mbyllur. Nuk ka mbetur asnjë çështje që lidhet me ligjin që nuk është trajtuar. Shpresoj se brenda dy tre vitesh do të kemi edhe një konferencë për shtyp mbi uljen e numrit të duhanpirësve në vend me 45 për qind, me synimin që kjo shifër të ulet deri në 20 për qind”, deklaroi Azir Aliu, ministër i shëndetësisë.
I pyetur për ndryshime nga propozimi fillestar, Aliu tha se kriteret bazohen në rekomandimet e OBSH-së.
“Kemi arritur në përfundim si nga ana shkencore ashtu edhe nga ekspertët shëndetësor se me dy anë të hapura të hapësirës së tarracave mund të lejohet pirja e duhanit pasi që ajri rrjedh dhe pastrohet cilësia e ajrit brenda. Por, nga ana tjetër dhe nga pikëpamja ekonomike, e dini që vetëm në Shkup kemi mbi 7,000 objekte ushqimore që kanë tarraca, shumica e atyre objekteve të ushqimit kanë një infrastrukturë të tillë që është e pamundur të kesh tre anë të hapura”, thotë Azir Aliu, ministër i shëndetësisë.
Aliu gjithashtu theksoi se propozim-ligji e lejon çatinë të konsiderohet si anë e hapur, pasi kjo pastron ajrin shpejt. Po ashtu, bizneset do të kenë hyrje të veçantë për jo duhanpirësit. Qëllimi i ligjit është të mbrojë ata që nuk pinë duhan, duke i lejuar të frekuentojnë objektet pa u ekspozuar ndaj tymit, ndërsa duhanpirësve u caktohen zona të veçanta. /Alsat/



















































