Site icon Telegrafi

Propaganda e Kremlinit po fabrikon pretekstin për të pushtuar Ukrainën nga forcat ushtarake ruse

Mes përshkallëzimit të vazhdueshëm ushtarak në kufirin e Ukrainës, mediet e kontrolluara nga Kremlini vazhdojnë të kultivojnë narrativa dezinformuese e propaganduese rreth mizorive kundër popullsisë në Donbas. Padyshim kjo është një përpjekje për të krijuar një pretekst për pushtim dhe për të mbajtur hapur opsionin e agresionit ushtarak kundër Ukrainës.

Pretendimet e rreme që akuzojnë Kievin për “mizori” në Donbas kanë qenë prezentë në mediet pro-Kremlinit për gjatë viteve.

Organet për dezinformim, duke përfshirë ato që kanë lidhje me shërbimet ruse të inteligjencës, vazhdimisht e kanë akuzuar Ukrainën për “spastrim etnik” dhe “gjenocid”. Mirëpo, këto gënjeshtra aktualisht po riciklohen në nivelet më të larta të Kremlinit.

EU vs Disinfo ka bërë një zbërthim e pesë lajmeve dezinformuese të publikuara përmes medieve ruse.

Propaganda 1: Forcat ukrainase janë gati të nisin një ofensivë të madhe në Donbas

“Ukraina e vlerëson jetën e çdo qytetari dhe nuk planifikon veprime agresive”, është mesazhi i Ministrisë ukrainase të Mbrojtjes.

Mediet shtetërore ruse kanë intensifikuar akuzat kundër Ukrainës për ofensiva sekrete. Kjo ka arritur kulmin me anë të videove të sinkronizuara dhe pothuajse identike nga udhëheqësit e militantëve të mbështetur nga Rusia në të ashtuquajturat Republika e Doneskut (DNR) dhe ajo e Luhanskut (LNR). Këto mesazhe kërkonin evakuim masiv (zhvendosje e urdhëruar) drejtë Rusisë. Duke përdorur termin “evakuim”, militantët vendas përpiqen t’i përshkruajnë veprimet e tyre si humanitare, kur në fakt i referohet zhvendosjen e civilëve nga shtëpitë dhe jeta e tyre e përditshme.

Pretendimet për evakuimin e 700 mijë personave, tregojnë një përpjekje për të tërhequr një lloj paralele me luftën në Kosovë.

Për vite me radhë, mediet pro-Kremlinit kanë qenë të mbushura me pretendime për planet ofenduese të Kievit kundër Donbasit, duke e paraqitur Ukrainën si një agresore të pamëshirshme.

Lexo po ashtu EU vs Disinfo tregon shtatë lajmet dezinformuese të Rusisë rreth situatës në Ukrainë

Propaganda 2: Ukraina po planifikon të organizojë ose të kryejë një sulm terrorist në Donbas apo Rusi, me viktima të shumta në mesin e popullatës civile

Kjo dezinformatë dhe akuza të ngjashme bien nën kategorinë e të ashtuquajturave narrativa të operacioneve “flamurët e rremë” [False Flags], ku Ukraina akuzohet për organizimin ose kryerjen e sulmeve “terroriste”. Shembujt e fundit përfshijnë pretendime në lidhje me planet për të hedhur në erë objekte të rëndësisë industriale dhe ndërtesa administrative.

Një konstante midis pretendimeve të tilla është mungesa e çdo lloj prove të besueshme. Asnjë vëzhgues i pavarur nuk ka qenë në gjendje të verifikojë këto gënjeshtra. Nuk ka dëshmitarë të besueshëm. Kjo përfshinë shpërthimin e makinës në Donetsk të transmetuar gjerësisht më 18 shkurt 2022, ku një reporter i televizionit të kontrolluar nga shteti rus u shfaq duke qëndruar pranë një makine të dëmtuar, pa asnjë hetim të besueshëm mjeko-ligjor.

Qeveria ukrainase e ka hedhur poshtë kategorikisht këtë pretendim dezinformues.

Rusia e ka akuzuar edhe më parë Ukrainën për “sulme terroriste”. Në vitin 2016, mediet pro-Kremlinit gjithashtu kanë pretenduar se Ukraina drejtohet nga “junta terroriste” dhe po “trajnon terroristët” për operacione në Evropë dhe Lindje të Mesme.

Propaganda 3: Ukraina po kryen gjenocid kundër popullsisë rusishtfolëse

Duke akuzuar Qeverinë ukrainase për krime kundër njerëzimit, Kremlini jo vetëm që përpiqet të portretizojë Kievin si kriminele, por edhe abuzon me termin që është përcaktuar qartë në Konventën e Kombeve të Bashkuara për Parandalimin dhe Ndëshkimin e Gjenocidit, të miratuar më 1948.

Pretendimet e tilla janë hedhur poshtë pa mëdyshje nga mediet e pavarura ruse.

Gjatë gjithë viteve, mediet pro-Kremlinit e ka përdorur fjalën “gjenocid” në atë mënyrë për të përshkruar gjëra që nuk kanë të bëjnë fare me shkeljet në shkallë të gjerë të të drejtave të njeriut, duke minuar kështu këtë term.

Propaganda 4: Ukraina do të përdorë armë kimike kundër civilëve në Donbas

Ukraina nuk ka prodhuar, grumbulluar apo përdorur kurrë armë kimike. SHBA gjithashtu është nënshkruese e Konventës për Armët Kimike.

Mediet pro-Kremlinit kanë akuzuar Ushtrinë ukrainase për përdorimin e armeve me fosfor të bardhë, i ndaluar sipas Konventës së Gjenevës, ndërsa kanalet në rrjetin social Telegram, të lidhura me shërbimet sekrete ruse kanë përhapur dezinformata për bomba radioaktive të prodhuara nga vet Ukraina.

Lajmet dezinformuese rreth këtyre armëve, duke përfshirë mohimin e sulmeve me armë kimike nga regjimi sirian, vazhdojnë të janë pjesë e propagandës ruse. Gjithashtu, këto medie ka shërbyer si një instrument për mjegullimin e fakteve rreth përdorimit të armëve kimike nga Rusia, në tentativën për vrasjen e liderit opozitar Alexei Navalny dhe në helmimin e Sergei dhe Yulia Skripal në Salisbury.

Propaganda 5: Ushtria ukrainase po kryen akte mizorie në Donbas

Akuzat për të ashtuquajturat mizori në Donbas janë shqetësuese dhe nganjëherë plotësohen me imazhe të tmerrshme të transmetuara nga televizionet kryesore ruse. Megjithatë, atyre u mungojnë dukshëm detajet e besueshme.

Këto medie kanë përdorur mesazhe shumë emocionale dhe të fabrikuara për të nxitur urrejtje dhe frikë ndaj ukrainasve, veçanërisht në audiencën vendase ruse.

Pas fabrikimit famëkeq për një “djalosh të kryqëzuar” në Ukrainë, të shpërndarë nga mediet pro-Kremlinit në vitin 2014, ka pasur akuza se forcat e armatosura ukrainase organizojnë “safari për gjueti të njerëzve” dhe se perëndimorët e pasur mundësi të blejnë të drejtën për të vrarë civilë në Donbas.

Pretendime të ngjashme janë bërë deri në shkurt të vitit 2022. Në pranverën e vitit 2021, media shtetërore ruse kishte propaganduar historinë e një djali 4-vjeçar në Donbas që dyshohet se u vra nga një dron ukrainas. Mesazhe të tilla dezinformuese kultivohen nga personalitete dhe zyrtarë rusë. /Telegrafi/

Exit mobile version