Prokuroria e Elbasanit ka rihapur hetimet për zhdukjen e këngëtarit Renato Hamzai, i njohur ndryshe si Reni.
Abc ka raportuar në datë 3 nëntor për rizhvarrosjen e eshtrave të gjetura vite më parë në fshatin Babje të Librazhdit, të një personi, të cilat dyshohet se i përkasin këngëtarit në fjalë.
Kufoma u gjet vite më parë në një fshat të Librazhdit, ndërsa nga mbetjet kockore janë marrë kampione ADN-je, pasi ka dyshime të forta që ky trup mund t’i përkasë pikërisht Renato Hamzës, zhdukja e të cilit vijon të mbetet një enigmë edhe sot.
Me rihapjen e hetimeve, prokuroria e Elbasanit ka mundur të sigurojë indicie të reja, çka ka shtyrë që të marrë edhe vendimin për zhvarrosjen e trupit të gjetur dhe ende të paidentifikuar.
Ka qenë Drejtuesi i Prokurorisë së Elbasanit, Kreshnik Ajazi, i cili pas vlerësimit të situatës vendosi zhvarrosjen e trupit të gjetur në fshatin Babje të Librazhdit.
Burime pranë grupit hetimor bënë me dije për Abc se ekspertët janë shprehur se eshtrat e gjetura në vitin 2014-të në fshatin Babje të Librazhdit kanë ngjashmëri kockore me skeletin e Renato Hamzës, por kjo mbetet për t’u vlerësuar pas 45 ditësh, pas daljes së ADN-së.
ABC mëson se ka dyshime të forta se këngëtari Renato Hamza mund të jetë ekzekutuar nga një grup kriminal që operon në zonën e Shqipërisë së Mesme, pasi për të riun kanë pasur dyshime se mund të ketë qenë dëshmitar i një ngjarje kriminale që ky grup kishte kryer.