Site icon Telegrafi

Prokuroria dy muaj pas, nuk i ka përfunduar hetimet për kompaninë që premtoi punësimin e 2000 personave në Gjermani

Kompania “B.S.B. Aviation” në Prizren në fund të tetorit 2018, kishte shpalosur para qytetarëve kushtet për punësim në Gjermani. Ata kishin premtuar punësimin e 2000 personave, por pasi kishin shpalosur mundësitë për punësim edhe në Prishtinë vetëm një ditë pas, me ta kishin filluar të merren organet e rendit.

Në Prokurorinë Themelore në Prizren kanë thënë për Telegrafin se ende janë në fazën e fillestare të e hetimeve.

“Sa i përket rastit të kompanisë B.S.B. Aviation, ju njoftojmë se Prokuroria Themelore në Prizren është akoma në fazën fillestare të grumbullimit të informacioneve dhe provave të nevojshme dhe, për rastin në fjalë Prokuroria do të veproj konform dispozitave ligjore”, ka thënë për Telegrafin Fitore Mehmeti, Zyrtare për Informim nga Prokuroria Themelore në Prizren.

Lexo po ashtu Mijëra kosovarë interesohen për t'u punësuar në Gjermani (Video)

Ajo ka bërë të ditur se kompania B.S.B. Aviation, ende nuk ka licencë.

“Po ashtu, duam t’ju bëjmë me dije se kompania në fjalë nuk ka filluar të operojë akoma për arsye të mungesës së licencave adekuate nga institucionet shtetërore”, tha Mehmeti.

Ndërkaq në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale (MPMS), kanë thënë se aplikacioni i Kompanisë “B.S.B. Aviation” nga Prizren është duke u shqyrtuar ende.

“Aplikacioni i Kompanisë në fjalë është duke u shqyrtuar, njëkohësisht ne kemi kërkuar informata shtesë nga institucionet përkatëse. Në momentin që do ti sigurojmë këto informata, do të veprojmë konform Udhëzimit Administrativ dhe Legjislacionit në fuqi”, ka thënë Mimoza Kqiku, Këshilltare për Marrëdhënie me Publikun e Ministrit të Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skënder Reçica.

Kurse, Telegrafi ka kontaktuar me zyrtarë të kësaj kompanie për të marr një deklaratë nga ta por edhe pse kanë premtuar ata nuk kanë kthyer përgjigje.
Por Bujar Berisha nga kompania “B.S.B. Aviation” në Prizren ditën kur kishin shpalosur kushtet për punësim në Gjermani, kishte thënë për Telegrafin se aplikimi është pa pagesë.

“Jemi këtë për të dhënë informata sesi janë mundësit për punësim ën Gjermani. Është fjala për 2000 vende pune (2018) ndërsa vitin tjetër (2019) duhen edhe 5000 veta. Ka mundësi për ata që kanë diplomë për të punuar në shtëpi të pleqve, motra medicional, shofer kamioni, saldues dhe profesione të tjera”, kishte treguar Berisha.

Por për dallim nga Prizreni në Prishtinë kur kishte prezantuar mundësitë për punësim në Gjermani, kompania “B.S.B. Aviation” pjesëmarrja e qytetarëve kishte qenë shumë më e zbehtë. /Telegrafi/

Exit mobile version