Raporti i Performancës së Komunave për vitin 2023 i publikuar nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal ka treguar se Komuna e Prizrenit në fushën e arsimit parauniversitar ka arritur rezultate më të mira të përmbushjes së treguesve në krahasim me komunat tjera të mëdha të Kosovës.

Në renditjen e përgjithshme, Prizreni me 80.74% të përmbushjes së treguesve është listuar i dyti, duke pasur para vetes vetëm Fushë Kosovën me 85.14%. Por në këtë vlerësim, prapa vetes ka lënë komunat e mëdha, si Pejën, Gjilanin, Mitrovicën, Prishtinën, Gjakovën e Ferizajn, raporton Telegrafi.


Sipas Raportit të MAPL-së, fusha 14 respektivisht arsimi parauniversitar synon rezultate në hapësira për çerdhe, shkolla të pajisura me kabinete për internet, masa të efiçiencës së energjisë, rekrutimin e personelit arsimor, licencimin e mësimdhënësve, mjetet e konkretizimit, pajisjet e shkollave me mjete mësimore, kabinete të TIK-ut, si dhe kushtet e sigurisë në shkollë.

Kjo fushë në vitin 2023, në 34 komunat e Kosovës, ka arritur performancën e përgjithshme në nivel prej 48.78%, dhe sipas MAPL-së ka nevojë për përmirësim të dukshëm.

arsimi parauniveristar raporti i performances 2023

Drejtoresha e Arsimit në Komunën e Prizrenit, Luljeta Veselaj Gutaj ka theksuar se ky dikaster ka shënuar rritje të përqindjes së përmbushjes së treguesve vit pas viti, falë angazhimit për zbatimin e objektivave të saj.

“Viti 2023 ka rezultuar me 80.74% të përmbushjes së treguesve që maten në fushën e arsimit parauniversitar në kuadër të Raportit të Performancës. Ky është një rezultat shumë domethënës për Komunën e Prizrenit marrë parasysh edhe specifikat të cilat i kemi si  komunë”, ka thënë Veselaj Gutaj.

Sipas saj, për këtë arritje ka pas sinergji mes të gjithë hisedarëve të përfshirë në procesin arsimor.

“Kjo është një përpjekje e gjithanshme, duke filluar nga drejtuesit e shkollave, mësimdhënësit, nxënësit, por edhe prindërit si partnerë shumë thelbësor në procesin edukativo arsimor. Pa dyshim edhe objektivat e DKA-së që kanë qenë shumë reale dhe të matshme, dhe janë zbatuar në harmoni me politikat dhe legjislacionin në fuqi”, ka deklaruar Veselaj Gutaj për Telegrafin.

luljeta veselaj gutaj dka prizren 1

Në të njëjtën kohë ka shprehur mirënjohje për të gjithë akterët që kanë kontribuar për këtë rezultat, përfshirë dhe mbështetjen e ofruar nga kryetari i Komunës, Shaqir Totaj.

“Gjithashtu i inkurajoj të gjithë akterët që ti vazhdojmë angazhimet e përbashkëta, sepse gjithnjë ka vend për përmirësime, dhe jam e bindur se edhe si DKA kemi hapësirë për punë dhe rezultate edhe më të mira për ngritjen e cilësisë në arsim”, ka shtuar zyrtarja e lartë komunale.

Në vitin 2022, Prizreni në fushën e arsimit parauniversitar ka pasur 76.33% të përmbushjes së treguesve, derisa në vitin 2020 ky rezultat ka qenë 64.67%.

Matja e performancës së komunave është proces i rregullt i cili zbatohet nga MAPL në bashkëpunim me komunat. Matja shtrihet brenda kornizës së kompetencave të komunave sipas legjislacionit bazë dhe atij sektorial. /Telegrafi/