Prizreni përballet me reshje të dendura, Komuna ndërhyn për të shmangur përmbytjet

Pas reshjeve të dendura të shiut që përfshinë gjatë orëve të fundit komunën e Prizrenit, ekipet emergjente të Komunës kanë ndërhyrë menjëherë në disa zona të qytetit dhe fshatrave për të shmangur përmbytjet dhe për ta mbajtur situatën nën kontroll.
Sipas njoftimit të komunës, ndërhyrjet po realizohen në disa pika kritike ku uji ka paraqitur rrezik për bllokimin e rrugëve dhe dëmtimin e pronave, raporton Telegrafi.
Ekipet e Drejtorisë së Shërbimeve Publike dhe të Emergjencave po punojnë me intensitet të shtuar për pastrimin e kanaleve dhe hapësirave kulluese, ndërsa po vazhdon edhe monitorimi në terren.
Pavarësisht se reshjet po vijojnë, autoritetet komunale kanë bërë të ditur se situata është nën kontroll dhe se do të ndërmerren masa të menjëhershme në rast të ndonjë përkeqësimi të motit.
Komuna e Prizrenit ka apeluar tek qytetarët që të kenë kujdes në lëvizje dhe të raportojnë çdo problem të mundshëm që lidhet me bllokimin e rrugëve apo kanaleve kulluese, në mënyrë që ekipet komunale të reagojnë me kohë. /Telegrafi/

















































