Komuna e Prizrenit ka njoftuar se nga data 16 prill 2026 do të nisë një aksion për largimin e mallrave të ekspozuara pa leje para lokaleve afariste, me qëllim lirimin e hapësirave publike dhe krijimin e qasjes së lirë për qytetarët.

Sipas Drejtorisë Komunale të Inspektorateve, ky veprim do të përfshijë të gjitha bizneset që ekspozojnë produkte si pemë, perime, tekstil, plastikë dhe mallra të tjera, pa u pajisur paraprakisht me leje nga Drejtoria e Urbanizmit dhe Planifikimit Hapësinor.


Nga kjo drejtori është bërë e ditur se ndaj subjekteve që nuk respektojnë këtë vendim do të ndërmerren masa ndëshkuese.

“Pronarët e lokaleve që nuk janë të pajisur me leje do të gjobiten dhe mallrat do të konfiskohen, ndërsa shpenzimet e këtij procesi do t’i bartin vetë bizneset”, thuhet në njoftim.

Autoritetet komunale kanë bërë thirrje për respektim të rregullave dhe bashkëpunim, me qëllim ruajtjen e rendit dhe funksionalitetit të hapësirave publike në qytet. /Telegrafi/