Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, është nderuar me Çmimin “Grand Excellence 2024” nga Qendra Albanian Excellence, për angazhimin e saj të palëkundur në ruajtjen dhe forcimin e shtyllave themelore të shtetësisë së Kosovës.

Gjatë ceremonisë solemne të mbajtur në Tiranë, çmimi u pranua në emër të Presidentes Osmani nga këshilltarja e saj, Donika Kadaj.


Ky vlerësim prestigjioz u dha në shenjë mirënjohjeje për rolin e rëndësishëm të Presidentes Osmani në mbrojtjen e sovranitetit dhe integritetit të Kosovës, si dhe për përpjekjet e saj të vazhdueshme në fuqizimin e aleancave strategjike me aleatët ndërkombëtarë. Po ashtu, çmimi vlerëson udhëheqjen e saj vizionare në promovimin e drejtësisë për viktimat e dhunës gjatë luftës dhe për ngritjen e imazhit ndërkombëtar të Kosovës.

“Kosova është një shtet i ndërtuar mbi sakrifica të mëdha dhe mbi një histori krenarie, rezistence dhe lufte për liri e drejtësi. Këto sakrifica na kujtojnë përherë përgjegjësinë tonë për të mbrojtur dhe avancuar sovranitetin, shtetësinë dhe integritetin tonë territorial. Presidentja Osmani ka qenë një zë i fuqishëm për mbrojtjen e këtyre vlerave, duke i vendosur ato në qendër të agjendës së saj kombëtare dhe ndërkombëtare”, theksoi Kadaj gjatë fjalës së saj në ceremoni.

470583331 621848433837149 7934573926220244731 n

“Përmes angazhimeve të saj institucionale, presidentja Osmani ka forcuar partneritetet strategjike me aleatët tanë ndërkombëtarë, duke siguruar që Kosova të njihet si një shtet demokratik dhe i përkushtuar ndaj paqes dhe stabilitetit global,”shtoi Kadaj.

Ky çmim i veçantë thekson rolin qendror të Presidentes Osmani si një mbrojtëse e vlerave demokratike dhe të drejtës ndërkombëtare, duke e afirmuar Kosovën si një partner të besueshëm dhe të përkushtuar ndaj paqes e stabilitetit global dhe duke fuqizuar aleancat si një ndër shtyllat kryesore të shtetësisë së Kosovës. /Telegrafi/