Presidenti sirian Ahmed Sharaa ka mbërritur në Uashington për një vizitë zyrtare, vetëm dy ditë pasi SHBA-të ia revokuan zyrtarisht statusin e tij si terrorist global.

Ish-militanti islamik do të takohet me presidentin e SHBA-së Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë, njëmbëdhjetë muaj pasi aleanca e tij rebele rrëzoi Bashar al-Assad-in.


Disa orë para mbërritjes së tij në kryeqytetin amerikan, u njoftua se shërbimet siriane të sigurisë kishin ndaluar dhjetëra anëtarë të dyshuar të të ashtuquajturit grup Shteti Islamik.

Përpjekjet e përbashkëta për të luftuar atë që ka mbetur nga grupi në Siri pritet të jenë në krye të agjendës gjatë bisedimeve të Sharaas me Trumpin.

Autoritetet siriane thanë se 71 anëtarë të dyshuar të grupit u arrestuan, si dhe u sekuestruan armë dhe eksplozivë.

Bëhet e ditur se që kur mori pushtetin, Sharaa është përpjekur të rivendosë praninë e Sirisë në skenën botërore pas dekadash izolimi nën regjimin e Assadit dhe 13 vitesh luftë civile.

Ai udhëtoi për në SHBA në shtator për t'iu drejtuar Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, ku tha se Siria po "rimerrte vendin e saj të merituar midis kombeve të botës" dhe i bëri thirrje bashkësisë ndërkombëtare të heqë sanksionet.

Më herët këtë javë, Këshilli i Sigurimit i OKB-së mbështeti një rezolutë të SHBA-së për të hequr masat , gjë që përkoi me vazhdimin e një procesi disamujor të lehtësimit gradual të sanksioneve ndaj Sirisë dhe udhëheqësve të saj të rinj nga Uashingtoni.

Sharaa dhe ministri i tij i brendshëm, Anas Hasan Khattab, u hoqën nga një regjistër amerikan i individëve të dyshuar për mbështetje ose financim të grupeve ekstremiste, një vendim që Departamenti i Thesarit tha se ishte "në njohje të progresit të demonstruar nga udhëheqja siriane".

Sharaa ishte listuar nën emrin Muhammad al-Jawlani, pseudonimin që ai përdorte si udhëheqës i Hayat Tahrir al-Sham (HTS).

Grupi ishte i lidhur me al-Kaedan deri në vitin 2016, kur Sharaa i ndërpreu lidhjet.

Përpara se të drejtonte HTS-në, Sharaa luftoi për al-Kaedan në Irak dhe për një kohë u burgos nga forcat amerikane.

Ai ishte gjithashtu subjekt i një shpërblimi amerikan prej 10 milionë dollarësh.

SHBA-të hoqën sanksionet ndaj HTS-së në fillim të këtij viti.

Ndryshe, Trump u takua më parë me Sharaa në maj gjatë një vizite në Riad, ku e përshkroi atë si një "djalë të ashpër, me të kaluar shumë të fortë".

Pavarësisht prejardhjes së tij, Sharaa ka marrë mbështetje nga qeveritë që kundërshtuan regjimin e Assadit duke u zotuar të udhëheqë një qeveri të moderuar e cila mund të fitojë mbështetje nga grupet dhe fraksionet e ndryshme etnike të Sirisë.

Më herët këtë vit, ai u zotua të çrrënjosë elementët e forcave të tij të sigurisë të cilët u akuzuan për ekzekutimin e anëtarëve të pakicës alevite të Sirisë .

Dhuna vdekjeprurëse ka shpërthyer gjithashtu në muajt e fundit midis luftëtarëve fisnorë beduinë sunitë dhe milicive druze, duke ngritur pyetje nëse qeveria e udhëhequr nga HTS mund të rivendosë stabilitetin në një vend të përcaktuar nga lufta për më shumë se një dekadë. /Telegrafi/