Presidenti i Iranit, Masoud Pezeshkian, fali legjendën më të madhe të futbollit iranian, Ali Daei dhe urdhëroi ministrin e tij të Sportit të heqë të gjitha masat ndaluese në fuqi për golashënuesin më të mirë në historinë e kombëtares iraniane.
Ali Daei doli në qendër të vëmendjes në shtator 2022 kur ai mbështeti protestat popullore për vdekjen e gruas kurde iraniane Mahsa Amini, e cila vdiq në paraburgimin e policisë pasi u arrestua për shkelje të kodeve të rrepta islame të veshjes.
Daei u përjashtua nga futbolli dhe iu konfiskua pasaporta. Disa media shkuan aq larg sa njoftuan se Daei ishte dënuar me vdekje, por ky ishte lajm i rremë.
Tani i është kthyer pasaporta dhe do të mund t’i rikthehet futbollit, por sipas informacioneve të mediave nga Irani, ai refuzon.
Madje ai u konsiderua edhe si kandidat për president të Federatës së Futbollit të Iranit, por edhe atë ofertë e refuzoi.
Legjendari Daei përfundoi karrierën e tij në vitin 2007. Ai doli në pension si golashënuesi më i mirë në futbollin ndërkombëtar me 109 gola për kombëtaren, por ndërkohë Cristiano Ronaldo (135) dhe Lionel Messi (112) e kanë kaluar atë. /Telegrafi/