Specialistja e mikrobiologjisë, Afërdita Kuqi Hyseni në podcastin “Shëndeti në rend të parë” ka folur lidhur me praninë e parazitëve në zorrë dhe simptomave që paraqiten.
Prania e parazitëve në zorrë sidomos është shqetësuese për fëmijët, gjersa identifikimi i tyre bëhet përmes disa metodave.
“Ekzistojnë shumë parazitë. Janë organizma që kërkojnë një organizëm tjetër për të jetuar, ushqyer. Dhe shkaktojnë probleme kogja të mëdha…Te fëmijët vërehet diarre, mal-absorbim, keq-ushqyerje fëmia fillon të dobësohet, disa raste kemi anemi, mund të paraqiten edhe ndryshime në lëkurë etj. Këto janë shenjat klinike tek pacientët ku kemi prezencë të parazitëve”, tha ajo.
Mikrobiologia Kuqi tutje tha se identifikimi i tyre bëhet me shumë metoda.
“Identifikimi i tyre bëhet me shumë metoda, por ne përdorim metodat mikroskopike. D.m.th. kërkohet mostra e fecesit dhe në mikroskop ne vërejmë zakonisht cistet apo vezët e parazitëve”, tha ajo.
Më tej, doktoresha ka treguar se si duhet të kemi kujdes nga ushqimi. Ajo ka potencuar rëndësinë e pastrimit të pemëve, perimeve dhe gatimit të duhur të mishit, si masë parandaluese nga parazitët.
Podcastin e plotë, ku doktoresha Kuqi flet për përdorimin e tepruar të antibiotikëve, strishot e fytit, hundës e veshëve, CRP, helikobakterin, e parazitët e myshqet në zorrë mund ta ndiqni në kanalin zyrtar të Telegrafit në YouTube. /Telegrafi/